Kerry takohet me Putin në kërkim të bashkëpunimit për Sirinë

Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry është munduar të arrijë marrëveshje të re me Rusinë rreth bashkëpunimit ushtarak në Siri, duke u takuar me presidentin rus, Vladimir Putin për bisedime me qëllim që konfliktit pesë vjeçar t’i jepet fund, njofton REL.

Kerry ka arritur vonë më 14 korrik në kryeqytetin rus dhe menjëherë është takuar me liderin rus. Ai e ka në agjendë të bisedojë edhe me kryediplomatin rus, Sergei Lavrov gjatë të premtes.

Gjatë takimit tre orësh me Putin, Kerry “ka shprehur shqetësimin për shkeljet e shpeshta të armëpushimit nga regjimi sirian”, iu ka thënë gazetarëve zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, John Kirrby në Moskë.

“Të dy zyrtarët kanë diskutuar nevojën për të rritur presionin ndaj grupeve si DAESH (Shteti Islamik) dhe dega e Al Kaidës në Siri, Jabhat al Nusra”, ka thënë Kirrby dhe ka shtuar se Kerry i ka thënë Putinit se “përpjekjet diplomatike nuk mund të vazhdojnë në pafundësi” në mungesë të hapave konkret.

Pak para takimit, Putin ka thënë se biseda e tij e fundit me presidentin amerikan, Barack Obama e ka bindur atë se të dy palët janë të sinqerta në përpjekjet për të gjetur zgjidhje në Siri.

“Unë shpresoj që pas bisedimeve të sotme ti do të jesh në gjendje ta këshillosh atë rreth progresit të arritur dhe lëvizjeve para që ne mund t’i bëjmë” i ka thënë ai Kerryt.

Kerry ka thënë se Obama mendon që bisedime e fundit telefonike me Putin ka qenë “konstruktive”.

“Shpresojmë që ai do të jetë në gjendje të arrij progres që është i implementueshëm dhe që mund të bëj ndryshimin në zhvillimin e ngjarjeve në Siri”, ka thënë Kerry.

Administrata e Obamës rregullisht ka shprehur paknaqësinë me intervenimin ushtarak të Rusisë në Siri, që në përgjithësi e ka pasur qëllimin të fuqizojë regjimin e presidentit Bashar al Assad, një aleat i kahmotshëm i Moskës.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button