Për kë do të harxhohen 1 miljardë EURO?

Maqedonia është vendi i kontrasteve verbuese, ku kontrastet mes njerëzve dhe shtresave janë aq të fuqishme sa përveç të bardhës dhe të zezës së fortë është e vështirë të dallosh ngjyra tjera në spektër. Duhet të hedhësh sytë përreth dhe të vrojtosh me vëmendje që në këtë vend ka të pasur, njerëz që kanë bollëk financiar dhe të varfër, të tillë që masin secilën qindarkë të cilën e shpenzojnë. Maqedonia është vend ku, për të mbijetuar, bëhesh rob i kostos margjinale. Kostoja margjinale në shkencën ekonomike, me pak fjalë paraqet heqjen dorë nga një e mirë apo një produkt për hir të një të mire apo produkti tjetër të një lloji tjetër. Shprehur ilustrativisht, kostoja margjinale e një njeriu të zakonshëm do të kishte qenë të zgjidhte se a do të harxhonte ato pak mjete që i mbeten nga rroga për të ushqyer veten dhe familjen apo për të paguar faturat mujore. Sipas statistikave botërore, në Maqedoni çdo i treti qytetar është i varfër. Cdo i treti qytetar i aftë për punë, është i papunësuar. Çdo i treti është privuar nga të drejtat më themelore qytetare, të cilat me kushtetutë janë të garantuara: e drejta për një jetë të mirë, e drejta për të patur sigurim shëndetësor dhe një skemë të shëndoshë pensionale, e drejta për një shkollim të mirë të fëmijëve etj.

Të drejtat e qytetarëve, të garantuara me kushtetutë janë obligim i shtetit, rrjedhimisht i atyre njerëzve të cilat janë zgjedhur nga populli për të garantuar dhe realizuar të drejtat e tij themelore. Meqenëse në Maqedoni këto të drejta qytetare janë totalisht të parealizuara për 1/3 e popullsisë, atëherë shteti ka dështuar në funksionin e vet themelor. Rrjedhimisht edhe këta njerëz të zgjedhur kanë dështuar në misionin e tyre më themelor. Në një shoqëri të shëndoshë, nëse politikanët nuk janë në gjendje të përmirësojnë jetën e qytetarëve të vet, atëherë ata politikanë duhen ndërruar me të tjerë. Politikanë të tillë të paaftë, janë jokushtetues, jolegjitimë.

Gjendja aktuale politike jo që është lehtësuese për familjen e zakonshme sepse jo vetëm që nuk ofron zgjidhje por e vështirëson jetën tonë duke e komplikuar me termine juridike dhe politike që populli nuk i kupton dhe fundja nuk ia ka ngenë për to. Pozita dhe opozita në vend se të mbajnë rolin e politikëbërësve janë shndërruar në politikanë të mavijosur duke u shqirrur për pushtet. Ata janë më shumë të impenjuar me atë se si të arrijnë të krijojnë rrugën e duhur për të arritur/mbajtur pushtetin sesa për të krijuar politikat e duhura ekonomike me qëllim të avancimit të mirëqenies së qytetarëve të tyre. Është pikërisht kjo vorbull politike që ngulfat secilin zhvillim ekonomik dhe social duke mbajtur vëmendjen në përcarjet dhe fjalosjet banale të politikanëve me cka lodhin qytetarin e thjeshtë.

Në këtë anarki politike që mbizotëron, është e vështirë të pranohet fakti i kreditimit të ri me euro-obligacionin prej 1 miljardë euro që në fund të fundit do ta varfërojë akoma më shumë secilin prej nesh. Jam i sigurtë që të gjithë do të pranonim shumë më lehtë këtë borxh masiv sikur të ekzisonte transparenca e nevojshme e cila do të qartësonte se pse u morr ky borxh, kujt do t’i shërbejë dhe në cilën formë do të harxhohen ato para? Është e frikshme të mendohet që edhe pas gjithë këtij debati politik – sado banal dhe i vrazhdë që ka qenë këta dy vitet e fundit, akoma të funksionojmë në mënyrën se si funksiononim kur pushteti VMRO-BDI dukej i plotfuqishëm dhe i palëkundshëm. Është e frikshme të mendohet që ky borxh i ri do të shfrytëzohet për vazhdimin e militantizmit politik kundër cdo logjike ekonomike. Mungesa e transparencës në vendime të këtilla të mëdha është e dëmshme jo vetëm për imazhin e politikanëve, por mbi të gjitha është shumë e dëmshme për mirëqenien dhe ardhmërinë e secilit prej nesh.

Ky borxh jotransparent krijon dyshime që mjetet nuk do të përdoren për qëllime investuese, me vetë faktin që me ribalancin e buxhetit u shkurtuan shumë investimet kapitale – do të ishte jologjike një ribalanc i ri për të risistemuar kontot e buxhetit në të mirë të investimeve kapitale; përkundrazi krijon panikë që shteti është pranë kolapsit financiar dhe që pjesa më e madhe e parave do të përdoren për transferta sociale, pagesën e penzioneve dhe rrogave dhe shpenzimeve tjera joracionale të stilit barok. Ky borxh titanik tregon diletantizmin ekonomik të kësaj qeverisjeje, por mbi të gjitha jotransparenca tregon për prepotencën e kësaj qeverie kundrejt të ardhmes së saj në mbajtjen e domosdoshëm të pushtetit, mospërfilljen që ajo ia bën opinionit publik që po kërkon përgjegjësi më të madhe financiare prej saj. Duke patur parasysh këto racionalizime, kam frikë që pjesa më e madhe e këtyre mjeteve do të përfundojnë në kampanja të ndryshme “ekonomike” për blerje të votave në zgjedhjet e ardhshme.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button