Nuland: Kosova ti bëjë hapat e nevojshëm para vjeshtës

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryetari i Kuvendit Kadri Veseli pritën në takime të ndara zëvendës- sekretaren amerikane të Shtetit, Victoria Nuland, e cila ndodhet në një vizitë zyrtare në Kosovë, raporton Anadolu Agency (AA).

Në një njoftim zyrtar nga Presidenca thuhet se gjatë këtij takimi, Thaçi ka njoftuar zëvendës-sekretaren për zhvillimet e fundit në Kosovë dhe për prioritetet e tij si president i vendit.

Ai ka bërë të ditur se prej marrjes së mandatit ka filluar të promovojë dekriminalizimin e skenës politike në Kosovë dhe theksoi se po punohet në mënyrë që të akuzuarit të mos i ikin përgjegjësisë dhe të marrin dënimin e merituar nga drejtësia. “Nuk do të lejohet që askush t’i ikë drejtësisë”,  u shpreh Thaçi.

Sa i përket çështjes së Demarkacionit Thaçi u shpreh se “Demarkacioni me Malin e Zi duhet të miratohet nga parlamenti sa më parë. Pa të drejtë është kthyer në një çështje politike që po dënon pa të drejtë qytetarët e Kosovës duke ua vonuar liberalizimin e vizave, por duke e vonuar edhe konsolidimin e shtetit”.

Në vazhdim, Thaçi ka shtuar se Kosova ka marrëdhënie të mira me fqinjtë, duke përfshirë edhe Serbinë dhe se tanimë është koha për një dialog me kualitet të ri, ku të dyja palët duhet të implementojnë të gjitha marrëveshjet e arritura deri tani.

Duke theksuar se Kosova mbetet e përkushtuar në luftimin e ekstremizmit dhe terrorizmit, Presidenti Thaçi foli edhe për themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës. Ai bëri të ditur se gjatë punës së tyre do të hyjnë në dialog me të gjitha komunitetet, përfshirë edhe serbët, por që assesi nuk do ta pranojnë veton e Beogradit për këtë proces.

Ndërkohë, Nuland, duke përcjellë përshëndetjet e presidentit Obama dhe të zëvendëspresidenti Joe Biden, ka theksuar se tani priten hapat e rëndësishëm që duhet të ndërmarrë Kosova, sidomos në luftën kundër korrupsionit.

Duke bërë të ditur se SHBA-të në vjeshtë do të jenë të përqendruara në zgjedhjet presidenciale, Nuland u shpreh se “Është mirë që Kosova të bëjë hapat e nevojshëm para vjeshtës dhe kështu të ruajë momentumin e zhvillimeve pozitive”.

Nga ana tjetër, gjatë takimit të kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli me zëvendës- sekretaren amerikane të Shtetit, Nuland u biseduan proceset nëpër të cilat është duke kaluar Kosova, si dhe për transformimin e FSK-së, si proces i domosdoshëm në kuadër të forcimit të shtetit të Kosovës.

Në një njoftim zyrtar nga Kryetari i Kuvendit thuhet se Nuland bëri të ditur që Qeveria amerikane vazhdon të mbështesë fuqishëm Kosovën në ecjen e saj përpara dhe vuri në dukje se forcimi i sundimit të ligjit, i sistemit të drejtësisë dhe luftimi i korrupsionit e krimit të organizuar, janë thelbësore për përparimin e Kosovës.

Ndërkohë, kryeparlamentari Veseli theksoi se do t’i përkushtohet tërësisht axhendës euro-atlantike të vendit, përkatësisht të forcimit të shtetit ligjor në Kosovë, si dhe në reformat e domosdoshme institucionale.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button