Gazetaria nënkupton autorësi, plagjiatura është krim!

Shkruan: Adrian Kerimi

Plagjiatura është bërë përditshmëri. Jo vetëm në portale e media, por edhe në sfera të tjera. Çdo ditë e më tepër lexojmë skandale për vepra shkecore e akademike, të cilat bien në ujë pas deshifrimit se kanë bazë plagjiature. Inspektimet dhe hulumtimet tona mbase nuk janë të përsosura në drejtim të gjetjes së plagjiatëve dhe plagjiaturave nëpër tekstet gazetareske, megjithatë, na vret fakti kur veprat tona bëhen kontribut i dikujt tjetër.

Në këtë drejtim, padyshim se topin e hedh tek një pjesë e portaleve, të cilat merren me gazetari jo profesionale, e që funksionojnë në të shumtën e rasteve falë mundësisë famëkeqe, plagjiaturës. Pa marrë parasysh se ata nuk i dënon ligji edhe pse duhet, e nuk i pengon as kodi etik dhe ndërgjegjja e tyre si informues i publikut. Gjithnjë thirren në ekskluzivitet, duke mos cituar burimin dhe duke kopjuar me pikë e presje tekstet origjinale të ndonjë gazetari profesional.

Ka shumë shembuj, megjithatë, ne kemi veçuar disa raste, të cilat ditëve të fundit kanë qenë në top listën tonë të plagjiateve. I tillë është rasti me një përmbajtje në portalin almakos.com, i cili pavarësisht se pretendon të jetë portal serioz, shpesh di të shkelë vijat e kuqe profesionale. Bëhet fjalë për tekstin me titull: “Për ngjarje politike 37% e qytetarëve informohen nga portalet”, i publikuar më 03 korrik 2016 në rubrikën e lajmeve nga Maqedonia. Shërbimi për Verifikim të Fakteve në Media zbulon se teksti është i marrë nga portali portalb.mk dhe është vepër – pronësi e autorit me iniciale XH.S, i cili tekstin në fjalë e ka publikuar më 03 korrik 2016, dy orë para portalit, i cili më pas morri këtë tekst dhe e postoi pa e theksuar burimin dhe autorin nga është marrë teksti. Më tragjik është fakti se titulli, fillimisht, si pasojë e kopjimit, në fund kishte edhe inicialet e autorit nga vepra origjinale, ndërsa më pas është ndryshuar. Por, pavarësisht kësaj, në linkun e lajmit mbetën inicialet e autorit të tekstit.

Foto 1

Çfarë parashikon Kodi Etik?

Pasi që përmbajtja dhe titulli janë kryekëput të njëjtat, nuk do të hyjmë në detaje të analizojmë këtë akt plagjiature. Vetëm do t’i referohemi Kodit etik, ku për këtë lloj veprimesh thuhet: “Bërja e plagjiatëve është e palejueshme. Citatet nuk duhet të shfrytëzohen pa miratimin e burimit ose autorit”, pika XII e Kodit etik për gazetarët.

Mediumet si viktimë e plagjiaturës!

Në mungesë të funksionimit të Ligjit për të Drejtat Autoriale, ky nuk është rasti i vetëm ku portalet, zakonisht, bëjnë plagjiat. Fillimisht nga portalet tjera, të cilat gazetarinë e shohin si profesion dhe në ngjarjet ditore janë në terren, e përveç kësaj, lajmet merren pa pikë ndryshimi ose vetëm me ndryshim në titull edhe nga mediumet tjera si televizionet apo gazetat ditore.

Një shembull tjetër është me lajmin për deklaratën e euro-ambasadorit Aivo Orav, i cili më datë 01 korrik, para mediave vendase i shprehu shqetësimet e tij në lidhje me thellimin e krizës politike në vend. Deklarata e tij ishte dhënë para EU Infoqendrës, ndërsa mediat vendase transmetuan kryesisht të njëjtën deklaratë. Megjithatë, lajmin e portalit portalb.mk, me titull: Ambasadori Orav ka një porosi për partitë politike”, me metodën “copy-paste” apo kopjim kryekëput e transmetuan portali antpress.mk dhe aktuale.mk. Ky i fundit me një ndryshim në titull, por përmbajtja fund e kokë ishte pothuajse identike me tekstin e redaksisë portalb.mk, publikuar më 01 korrik 2016.

Viktimë e plagjiaturës nga disa portale ishte edhe lajmi për ndryshimet ligjore në Ligjin për arsim fillor dhe Ligjin për arsim të mesëm. Lajmi i televizionit Alsat M me titull: “Ndryshime të eksternes, notat jo më në dëftesë”, publikuar më 06 korrik 2016, u “vodh” nga portali almakos.com. Përmbajta e tekstit dhe deklarata e zbardhur e folësit në këtë artikull gazetaresk është po e njëjta me atë të tekstit nga Alsat M, por me një ndryshim në titull. Titulli i lajmit, që almakos.com e ka marrë nga portali i televizionit Alsat M (alsat-m.tv) është: “Notat e testimit të jashtëm nuk do të shënohen në dëftesë dhe nuk do të ndikojnë në sukses”. Ajo që vërehet në fund të këtij teksti është video me logon e televizionit Alsat M, bashkëngjitur në tekst. Pavarësisht kësaj, në tekst askund nuk citohet burimi!

Transparenca e mediumeve (portaleve). Shmangia nga plagjiatura!
Doracaku për interesin publik në gazetari

“Kur mediat marrin informacione nga një media tjetër, burimi duhet të theksohet me saktësi. Nuk është e ndershme që informacionet e mediave të tjera të transmetohen apo publikohen si produkte autentike mediatike. Gjithashtu nuk është i mjaftueshëm atribuimi- referimi i burimit të informimit, të shmanget tërthorazi me frazën „siç shkruajnë disa media”. Kur informacionet ua përshkruajmë burimeve anonime, supozohet se ato burime janë tonat, e jo të ndonjë medie tjetër”, faqe 39, kapitulli i Transparencës, Doracaku par interesin publik në gazetari, Instituti i Studimeve të Komunikimit dhe Shkolla e Lartë për Gazetari dhe Marrëdhënie me Publikun.

Foto 2

Studimet dhe studiuesit

“Plagjiatura është përdorim i qëllimshëm ose i paqëllimshëm i veprës apo punës së dikujt tjetër, pa njohurin tuaj dhe në mungesë të dijës së nevojshme mbi atë çështje”, Kirsten Flemin, profesor.

“Transmetimi i qëllimshëm apo i pamatur i fjalëve të tjetrit, mendimet apo idetë e dikujt tjetër të përcjella si të vetat, pa atribuimin dhe paraqitjen e punës akademike të tjetrit, pavarësisht nëse përmirësohet ose jo”, studim i publikuar në Qendrën e shkrimit, pranë Universitetit të Karolinës së Veriut, Chapel Hill.

Ligji për të drejtat autoriale

E drejta e autorit është e garantuar edhe me Ligjin për të drejtat autoriale dhe në rast të keqpërdorimit të materialit apo përmbajtjes së veprës pa pëlqimin e autorit, parashikohen gjoba.

 


Ky leksion gazetaresk është përgatitur nga kuadër të Projektit të USAID-it për përforcimin e mediumeve në Maqedoni – Komponenta Shërbimi për verifikimin e fakteve nga mediumet, që implementohet nga fondacioni Metamorfozis.. Ky leksion gazetaresk është mundësuar me përkrahjen e Agjencisë amerikane për zhvillim ndërkombëtar (USAID). Përmbajtja e analizës është përgjegjësi e autorit dhe nuk i paraqet qëndrimet e fondacionit Metamorfozis, USAID-it ose të qeverisë së SHBA-ve. Për më tepër informata për punën e USAID-it në Maqedoni, ju lutemi vizitoni ueb-faqen e USAID-it: (http://macedonia.usaid.gov) dhe faqen e USAID-it në Facebook: (www.facebook.com/USAIDMacedonia).

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button