NË FUND TË FESTËS

Ramazani për çdo vjet na rikujton se rruga drejt Zotit është rrugë drejt njerëzve.

Pyetja që besimtarët natyrshëm e bëjnë në këtë fund të festës “Çka bëra për Zotin” në fakt përkthehet si “Çka bëra për Njeriun”.

…Nurija na mësonte që para gjumit ta kujtojmë ditën, gabimet e meritat dhe ta planifikojmë të nesërmen. Nasihat që është mirë ta ripërsërisin prindërit, mësuesit, predikuesit fetarë.

Llogaritja e plusave/minusave është korrektiv.

Rutinë ditore në përmirësimet asnjëherë perfekte.

Metodë për ushtrimin e mirënjohjes.

Të mirat që dimë ti vlerësojmë zmadhohen natyrshëm se Zoti, sipas librave të shenjtë, e do mirënjohjen. S’do ti shohë njerëzit me kantar, thotë nëna. Revanshimet, matematikat e egos, acarrimet na bëjnë të imtë dhe qesharakë në sytë e tij, në sytë e të tjerëve. Na bëjnë të parehatshëm. Në fund arrijmë tek një lloj egoizmi i bukur – fundja çkado që bëjmë, qoftë për të mirë qoftë për të keq shkon në konton tonë. Na jep qetësinë ose na mbush vner. Ramazani si muaj i faljes dhe solidaritetit ndërnjerëzor është reminder i shkëlqyer i kësaj.

…Privimi mujor nga nevojat themelore si një lloj trajnimi psiko-fizik dëshmon se gjithçka nis nga koka, Bindja është kryemotor. Kur beson – e bën. Kur beson – bëhet më kollaj.

…Nëse kultura definohet (edhe) si inhibim i shtytjeve, agjërimi na bën më civilizues. Është rrugë sakrificash që ia vlen. Nuk bëjmë çka na bëhet. Ushtrojmë vetëkontrollin. Presim Momentin. Janë vlera që fitojnë peshë në këtë epokë që tipizohet me refrenin e njohur të grupit Queen “I want it all and I want it now”. Agjërimi na përkujton se ka gjëra që duhen grabitur pa u ikur koha dhe ka gjëra që duhen pritur me sabër. Balancimi i tyre dëshmon pjekurinë. Ekziston Koha e Betejës dhe Koha e Pritjes. Pritja ngaherë është lufta më e rreptë se e bëjmë me veten, kurse vetveten mund ta kemi armik më të përbetuar.

…Besimtarët në të njëjtën kohë ulen në sofrat e veta: ditëve tjera më zor e ritualizojmë të paktën një shujtë me familjarët, anise kjo e shton afërsinë familjare. Gjatë qëndrimit në Italinë Veriore më bënte përshtypje që të gjithë, i madh e i vogël, të punësuar e të papunë, fëmijët në shkolla e çerdhe drekonin në 13h. Shprehje e frymës gjermane që zotëronte atë krahinë. Zona më e zhvilluar e shtetit ndërtohet mbi balancimin efektiv të etikës gjermane të punës dhe mentalitetit të ngrohtë mediterian.

Disciplina është formula.

Dashuria është formula.

Ramazani për çdo ditë na përkujtonte sa janë të rëndësishme të dyja këto.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button