Sistemin e sigurisë në Maqedoni s’mund ta reformojnë ata që e kanë rrënuar!

Prej ku duhet të nisin reformat në sistemin e sigurisë në vend dhe sa është e mundshme që të kryhen reforma me persona që janë të përfshirë në prishjen e sistemit? Janë dilema që janë parashtruar nga deputetë të opozitës.

Reforma në sistemin e sigurisë janë të pamundshme me njerëz që kanë qenë të përfshirë në krim. Kështu vlerësojnë nga Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë. Deputeti i LSDM Hari Lokvenec duke akuzuar raportin e VMRO-DPMNE-së me sistemin e sigurisë ka pyetur partinë në pushtet se cka ka ndodhur me partneritetin strategjik për reforma në DSK, raporton Portalb.

Hari Lokvenec është edhe kryetar i Komisionit kuvendor për mbikëqyrjen e punës së Drejtorisë për siguri dhe kundërzbulim dhe Agjencisë për kundërzbulim.

Njëri ndër deputetët më të zëshëm shqiptar, Zylfi Adili-deputet i pavarur, anëtar i Komisionit kuvendor për mbikëqyrjen e DSK-së dhe Agjencisë për kundërzbulim në deklaratën e tij për Portalb tha se ka kohë që kanë kërkuar reforma dhe se reformat duhet të nisin pikërisht nga këto drejtori.

“Nga DSK dhe Agjencia për kundërzbulim kemi marr vetëm raport pune- si kanë punuar, çka kanë përcjellur, por jo me të dhëna konkrete nga ajo çfarë kemi kërkuar. Personalisht kam kërkuar qartësimin e rastit të Kumanovës, përfaqësimin adekuat brenda këtyre institucioneve, dy gjuhësinë në ueb faqen e institucioneve,  të dhëna për rastet që njihen si të montuara- Monstra dhe Sopoti, si dhe për çështjen e përgjimeve, raport të veçantë”, tha për Portalb Adili.

Sipas tij, është kërkuar të dihet si ka ardhur deri tek zhdukja e aparateve për përgjim, rast ky për të cilën proces ka hapur edhe Prokuroria Speciale Publike.

Lokvenec vlerëson se nuk mundet të bëjë reforma dikush që ka prishur këtë sistem të sigurisë.

“MPB ka nevojë për reforma por jo me njerëz si Çavkov. Është e papranueshme që Çavkov të jetë në krye të reformave. LSDM do të sigurojë reforma por me njerëz që nuk janë të përfshirë në krim”, deklaroi Lokvenec./Portalb

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button