ANALIZË: Anketat dhe mediat – Lexim selektiv dhe cektësi në qasje

Shkruan: Benjamin Arifi

Anketa e fundit e Institutit Republikan Amerikan (IRI), edhe njëherë nxorri në pah të gjitha mangësitë e medias në gjuhën shqipe në Maqedoni, konkretisht mungesën e trajtimit dhe transmetimit të mirëfilltë të hulumtimeve të opinionit publik. Media të ndryshme – lexonin ndryshe anketën e njëjtë dhe rezultatet e njëjta, varësisht nga ajo se cila erë politike i fryn velat e politikës së tyre redaktuese. Raportim selektiv, fshehje e fakteve, madje edhe manipulim me rezultatet, ishin disa prej anomalive që mund të vërehen në mbulimin e anketës së fundit të IRI-t në një pjesë bukur të madhe të mediave në gjuhën shqipe që i drejtohen publikut në Maqedoni.

Analizën do ta fillojmë me shembujt më eklatantë të shtrembërimit të fakteve prej disa mediave. I tillë është shembulli i portaleve TetovaSot dhe Ilirianews. Të dyja portalet, me titull dhe tekst identik, me ose pa vetëdije manipulojnë me rezultatet e anketës, duke radhitur LR PDSH-në si forcë pretendente për pozitën e dytë në klasifikimin e partive politike. Në tekst përmendet vetëm rejtingu i BDI-së dhe nuk jepen të dhëna për rejtingjet e partive tjera, përveç që janë dhënë fotografitë ilustrative nga anketa, por pa përkthim.

Rezultate të transmetuara gabimisht ka edhe në raportimin e televizionit rajonal të rajonit të Pollogut, TV Koha. Televizioni Koha ka dhënë rezultate të pasakta për PDSH-në dhe Besën, ndërsa edhe ky medium ka radhitur LR PDSH-në në rezultatet e IRI-t, edhe pse kjo paerti fare nuk figuronte në to.

Portalet Zhurnal dhe Antpress gjithashtu me tekst identik, transmetojnë rezultate, të cilat nuk përkasin aspak me anketën e IRI-t. Përderisa Zhurnal ka përmirësuar më vonë tekstin, duke bërë të qartë se ka ngatërruar rezultatet me një anketë tjetër të realizuar nga “Brima Gallup” e të porositur prej javores në gjuhën maqedonase Republika, në portalin Antpress vazhdon të qëndrojë titulli i njëjtë, duke ia adresuar IRI-t rezultatet e një ankete tjetër.

Media të ndryshme, nga ana tjetër, kanë raportuar në mënyrë selektive për anketën. Portali Aktuale, për shembull, e fillon dhe titullon raportin me një segment objektivisht anësor në krahasim me hulumtimin kryesor – rejtingjet e partive politike. Aktuale i ka dhënë prioritet pyetjes se “cila parti është më aktive në fshatin ose qytezën ku jetoni”, ku sipas përgjigjeve të dhëna gjat hulumtimit qëndron më së miri BDI-ja, krahasuar me segmentet e tjera të anketës.

Ekspertët mendojnë se qasja e tillë e mediave ndaj anketës së fundit të IRI-t, që është objekt i analizës tonë, nuk është diçka e re dhe e pazakontë. Marko Troshanovski, kryetar i Institutit për Demokraci, që merret gjithashtu me hulumtime të opinionit publik, thotë se janë dy faktorët që ndikojnë në raportimin e tillë jo profesional të mediave kur bëhet fjalë për anketat.

“Në transmetimin e rezultateve të anketave nga ana e mediave luajnë rol dy faktorë, i pari është informimi i vetë gazetarëve për metodologjinë e anketës, dhe faktori i dytë është sjellja profesionale e medias ndaj cilësdo përmbajtje, përfshirë edhe anketave. Do të thotë, është një çështje që gazetarët i interpretojnë rezultatet gabimisht për shkak të mosdijes, ndërsa çështja tjetër është interpretimi selektiv dhe shtrembërimi i rezultateve për shkak të agjendave politike të vetë mediave”, thotë Marko Troshanovski, kryetar i Institutit për Demokraci.

Edhe Bashkim Bakiu, drejtor në Institutin për Hulumtimin e Politikave dhe Qeverisje të Mirë, sheh shumë politikë në përcjelljen e tillë të rezultateve të anketave në media.

“Fatkeqësisht, disa media shndërrohen në PR të partive politike, pastaj janë edhe tendencioze, duke shmangur disa fakte (rezultate) nga anketa, madje edhe duke manipuluar me rezultatet e anketës. Çdo anketë ka qoftë “surprizat” e veta, qoftë përqindjet relevante që duhet me doemos të plasohen, por ndodh që e njëjta të manipulohet, për shkak të leximit ndryshe, madje duke marrë të drejtën vetë mediat të japin mesazhet e anketës pa konsultuar ekspert në fushën perkatëse, sociologë. Pa mos sqaruar metodologjinë, demografinë dhe karakteristika të tjera për një proces hulumtues”, thotë Bashkim Bakiu, drejtor i Institutit për Hulumtimin e Politikave dhe Qeverisje të Mirë.

Sidoqoftë, gjithmonë ka edhe shembuj të mirë mes laramanisë së raportimit të mediave për të njëjtën anketë. Televizionet Alsat M dhe Shenja kanë bërë raporte gjithëpërfshirëse për anketën e IRI-t, duke përcjellur shumicën e segmenteve të hulumtuara nga kjo anketë. Alsat M ka vendosur fokusin në uljen ose stagnimin e partive qeverisëse, ndërsa Tv Shenja tek realiteti i ri në opozitën shqiptare. TV 21, nga ana tjetër, ka dhënë vetëm rezultatet korrekte të partive, pa ndonjë analizë më të thellë.

Përcjellje teknike të rezultateve të anketës kanë bërë edhe Gazeta Koha, Portalb dhe portali Indeks, mbase ky i fundit mund të gjente edhe ndonjë titull më objektiv.

Por, simptomë e përbashkët për të gjitha mediat, është mungesa e një qasjeje më të thellë analitike ndaj rezultateve të anketës. Në raportimet e gazetarëve mungon analiza krahasuese me rezultatet e mëparshme të anketave nga instituti i njëjtë. Këto analiza janë me rëndësi thelbësore, për shkak se aq sa është me rëndësi rezultati aktual, është me rëndësi edhe trendi i ndryshimit të opinionit publik për subjektet politike ose çëshje të caktuara. Eksperti Marko Troshanovski mendon se kjo vjen për shkak të mungesës së njohurive tek gazetarët, ose përtesës së mediave për të analizuar aq thellë matjet e opinionit publik.

 “Gazetarët shumë pak bëjnë shkrime komparative për anketa të ndryshme hulumtuese lidhur me një temë të njëjtë. Ma merr menja kjo është pasojë e mungesës së dijes, por edhe për shkak se duhet të harxhohet më shumë mund dhe kohë për një analizë të tillë, por mund të konstatojmë se rrallë mund të hasim ndonjë analizë apo studim që krahason të dhënat e disa anketave”, thotë Troshanovski.

Ekspertët e konsultuar në këtë analizë, Bashkim Bakiu dhe Marko Troshanovski, vlerësojnë se pasojat e raportimit jo-profesional për anketat janë të rënda. Ai ndikon në formimin e mendimit të gabuar tek qytetarët, me raportim të bazuar në fakte të rreme ose me selektimin e fakteve të anketës. Për këtë shkak, gazetarët duhet të kenë kujdes kur transmetojnë faktet, sepse ato janë të prekshme, janë të publikuara dhe lehtë gjenden në rrjet, e mund të fshihen dhe mbulohen po aq sa dielli me shoshë.

 


Kjo analizë është përgatitur nga kuadër të Projektit të USAID-it për përforcimin e mediumeve në Maqedoni – Komponenta Shërbimi për verifikimin e fakteve nga mediumet, që implementohet nga fondacioni Metamorfozis.. Analiza është mundësuar me përkrahjen e Agjencisë amerikane për zhvillim ndërkombëtar (USAID). Përmbajtja e analizës është përgjegjësi e autorit dhe nuk i paraqet qëndrimet e fondacionit Metamorfozis, USAID-it ose të qeverisë së SHBA-ve. Për më tepër informata për punën e USAID-it në Maqedoni, ju lutemi vizitoni ueb-faqen e USAID-it: (http://macedonia.usaid.gov) dhe faqen e USAID-it në Facebook: (www.facebook.com/USAIDMacedonia).

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button