Maqedoni, kriza politike dhe çështja e emrit nuk mund të zgjidhen në paket

Kërkesa e Gjermanisë dhe Britanisë së Madhe të diskutohet për situatën e Maqedonisë në  Këshillin e Punëve të jashtme të Bashkimit Evropian në Bruksel, është  presion i cili ju bëhet politikanëve të Maqedonisë për të treguar seriozitet më të madh dhe të punojnë më tepër në zgjidhjen e krizës politike, vlerësojnë për Radio Evropa e Lirë, ekspertët vendor, transmeton Portalb.
Madje, edhe mundësia për të vendosur sanksione për politikanët e vendit, të cilët e pengojnë zbatimin e Marrëveshjes së Përzhinës, për profesorin Bekim Kadriu, është vetëm një mënyrë e theksuar e trysnisë ndaj liderëve të tregojnë vullnet të mirë në drejtim të ndërmarrjes së masave për zgjidhjen e krizës.

“Kjo para së gjithash domethënë të tregojnë vullnet të mirë, ta lejojnë  PSP-në të bëjë punën e vet pa presione dhe të tregojnë seriozitet më të madh në drejtim të respektimit të shtetit të drejtë, sidomos për faljet e presidentit Ivanov, me procedurat e Gjykatës Kushtetuese dhe procedurat e Gjykatës Penale në lëndët e PSP-së ” thotë profesori Kadriu.

Megjithatë, rreziku nga sanksionet nuk është i mundur, sepse për atë nuk ka konsensus nga Hungaria, Sllovenia, Kroacia dhe Greqia. Ish diplomati, Nikolla Dimitrov pret debat të hapur dhe të dobishëm për Maqedoninë.

“Vetë fakti se Maqedonia është  pikë diskutimi në agjendën e bisedimeve, tregon se Maqedonia është problem dhe atë problem i madh. Kjo më shumë i ngjason një fillimi nga i cili BE do të miratojë disa qëndrime për Maqedoninë, por nuk është fundi” tha kategorikisht Dimitrov.

Bojan Mariçiq nga Qendra për Arsim Evropian pajtohet se diskutimi në Këshillin e ministrave është një lloj presioni mbi partitë në pushtet dhe politikat e tyre.

“Tani debati do të kalojë në atë nivel që të jep udhëzime si prej tani e tutje të shkohet drejtë zgjidhjes së krizës dhe kthimit të Marrëveshjes së Përzhinës. Prandaj presim që kjo çështje të shtyhet për  Këshillin në dhjetor,” deklaroi Mariçiq.

Në ndërkohë në publik, dolën informata se për zgjidhjen e krizës politike, në procesin e së cilës ndërmjetëson bashkësia ndërkombëtare, mund të shtrohet dhe çështja e emrit me Greqinë. Megjithatë, ekspertët nuk mendojnë se kjo çështje do të zgjidhet tani,  por pasi që të mbahen zgjedhjet dhe të formohet qeveri e re.

”Kriza politike duhet të përfundojë me zgjedhje të besueshme për krijimin e Parlamentit dhe formimin e Qeverisë së re. Dhe mandej do të ishte e kyçur në proces të arritjes së një zgjidhje-kompromisi me Greqinë. Ky shtet nuk do të hynte në bisedime të reja me Maqedoninë, nëse e di se në të ka krizë dhe legjitimiteti i qeverisë është i kontestuar”, deklaroi Kadriu.

Edhe pse kriza në njëfarë mënyre ndodh në një kohë kur euro-integrimet e Maqedonisë janë të bllokuara si dhe çështja e emrit mund të jetë pjesë e saj, megjithatë është e pakuptimtë që kjo çështje të hapet në paket me Përzhinën, vlerëson Dimitrov.

“Në një situatë të këtillë me kredibilitet krejtësisht të humbur pothuajse në të gjitha institucionet, do të jetë shumë e paarsyeshme dhe shkatërrimtare të hapet kjo çështje dhe prandaj mendoj se nuk do të ndodhë”, deklaroi Dimitrov.

Sipas Mariçiq, hapja eventuale e çështjes së emrit do të shkaktonte efekt të gabueshëm.

“Qytetarët kanë kryesisht besim në procesin e daljes nga kriza nëpërmjet Marrëveshjes së Përzhinës. Nëse këtu do të shtrohet çështja e emrit, kjo do të kishte pasoja negative që do të ndikojnë në vetëbesimin e qytetarëve gjatë atij procesi”, deklaroi Mariçiq.

Thirrje për zgjidhjen e shpejtë të krizës politike, përkrahje për  Përzhinën dhe shqyrtimi i rekomandimit për hapje të bisedimeve në dhjetor, janë tri pikat që i presin bashkë biseduesit tanë sot në Bruksel.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button