Shkencëtarët janë një hap larg krijimit të Vaksinës Universale kundër Kancerit

Në jetën e përditshme, shumë njerëz vdesin dhe të tjerë vijnë në jetë. Shkaku kryesor i vdekjeve janë sëmundjet kanceroze. Kanceri është një rritje e pakontrolluar e qelizave, të cilat penetrojnë në indin përreth dhe mund shpërndahen në distancë nga lokalizimi primar duke dhënë metastaza. Kanceri i mushkërive, i prostatës, kolonorektal, i stomakut dhe mëlçisë janë kancerat më të zakonshëm tek meshkujt, ndërsa kanceri i gjirit, kolonorektal, i mushkërive, i qafës së mitrës dhe stomakut janë kancerat më të zakonshëm tek femrat, shkruan, “wespeakscience“.

Statistikat nga OBSH (Organizata Botërore e Shëndetsisë) tregojnë se 8.2 milion e njerëzve vdesin çdo vit nga kanceri- rreth 13% e vdekjeve në mbarë botën. Më shumë se 30% e vdekjeve nga kanceri mund të parandalohen duke shmangur faktorët e riskut sidomos  përdorimin e duhanit. Kapja e hershme, diagnoza e saktë dhe trajtimi efektiv i cili përfshin lehtësimin e dhimbjeve dhe kurimet paliative, na ndihmojnë të rrisim shkallën e mbijetesës.

Trajtimet e mundshme përfshijnë kirurgjinë, kimioterapinë dhe radioterapinë, në varësi të stadit të turmorit dhe burimeve të disponueshme. Të trajtosh kancerin nuk është e lehtë. Një nga metodat më të njohuara është kimioterapia, e cila pavarësisht se ka dhënë prova për rezultate të suksesshme ka efekte anësore kërcënuese për jetën. Por shkenca po zhvillohet shpejt këto ditë  dhe mrekullitë e fundit të mjekësisë na ofrojnë mënyra të reja për ta luftuar atë, psh : duke përdorur sistemin imunitar të vetë personit të sëmurë, e njohur si imunoterapi. Kërkuesit tashmë janë duke e përdorur atë kundër kancerave të ndryshëm  dhe kanë arritur rezultate të shkëlqyera. Deri tani, shkencëtarët e kanë bërë këtë me inxhinieri gjenetike, duke shenjuar qelizat imunitare kundër atyre kanceroze në laborator  dhe pastaj duke e injektuar përsëri tek pacienti. Ky është një proces që kërkon kohë dhe shumë shpenzime.

Së fundmi, studiuesit kanë hedhur një hap shumë pozitiv drejt krijimit të një vaksine universale kundër kancerit që do të nxisë sistemin imunitar të trupit të sulmojë qelizat tumorale sikur të ishin viruse. Vaksina është më pak invazive  dhe  me kosto më të ulët  se format e tjera të imunoterapisë. Kjo vaksinë synon të luftojë një numër të madh kancerash prandaj dhe studiuesit e quajnë vaksinë universale kundër kancerit. Ajo do të përdoret tek njerëzit, të cilët janë të sëmurë me kancer .

Studimi u udhëhoq nga Prof. Ugur Sahin dhe skuadra e tij, në Universitetin Johanes Gutenberg të Meinz, Gjermani. Kërkuesit morën pjesë nga ARN e qelizave kanceroze, i futën  ato në pjesëza shumë të vogla, aq të vogla sa 1 e bilionta e metrit, për ti bërë  të shfaqen si viruse ose si baktere. Pastaj i injektuan në minj për të stimuluar qelizat imunitare të kapnin qelizat kanceroze. Pjesëzat e ARN u paketuan në një membranë të thjeshtë acidi yndyror dhe u ngarkuan lehtë me ngarkesë elektrike negative. Kjo do të thotë se kur vaksina injektohet tek një pacient, ajo tërhiqet nga ngarkesa elektrike drejt qelizave imune dentritike në shpretkë, limfonod dhe palcën e kockave. Qelizat dentritike paraqesin ARN kanceroze tek qelizat T të trupit. Qëllimi është që limfocitetet T të shkojnë dhe të vrasin të gjithë qelizat kanceroze në trup.

Ja cfarë ka  treguar ky studim nga skuadra gjermane, i kryer në minj. Sapo u injektua vaksina, sistemi imunitar luftoi agresivisht tumorët në rritje. Pasi u vu re që vaksina funksionoi në minj me tumore të induktuara artificialisht, shkencëtarët filluan studimet e para në njerëz. Skuadra ka bërë një studim klinik për ta provuar këtë vaksinë në tre persona me melanoma, kancer të lëkurës. Qëllimi i studimit ishte të testonte nëse vaksina ishte e sigurt për t’u përdorur në njerëz, dhe jo të studionte efektivitetin e saj. Rezultatet ishin premtuese. Efektet anësore ishin të kufizuara, u shfaqën vetëm simptoma gripale, shumë herë më të lehta se në rastet me trajtime kimioterapike.  Sipas raportimit  te një pacient, një tumor i dyshuar në limfonod u zvogëlua pasi u krye vaksinimi. Një pacient tjeter, i cili e kishte hequr tumorin me kirurgji, pas vaksinimit ishte i mbrojtur nga kanceri për 7 muaj.

Skuadra tani është duke pritur 12 muaj për të marrë rezultatet  e këtij studimi dhe nëse cdo gjë shkon mirë, do të fillojnë një studim  klinik akoma më të madh pasi të shikohet  se si do të punojë vaksina. Shumë kërkime të reja  do të përcaktojnë nëse ajo mund të përdoret për tipe të tjera kancerash.

Shpresojmë që me kalimin e kohës, vaksina e re të jetë një risi për njerëzimin, një vaksinë e cila nuk do të hidhet poshtë nga sëmundjet e pashërueshme aktuale. Ndoshta pas shumë studimeve klinike dhe përmirësimit të metodës, në vitet e ardhshme, bota do të shmangë kancerin.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button