Hollande: Franca po ballafaqohet me kërcënime të mëdha terroriste

Presidenti francez François Hollande tha sot se sulmi në të cilin u vra oficeri i policisë franceze dhe gruaja e tij, pashtu oficere e policisë, “padiskutim është akt terrorist”, dhe se Franca po përballet me një kërcënim terrorist të përmasave të mëdha, raporton Anadolu Agency (AA).

Duke u thirrur në burime të afërta me hetimin, mediat raportojnë se i dyshuari për vrasjen e mbrëmshme është shtetasi francez i identifikuar si Laeossi Abbala (25), i cili në vitin 2013 ishte dënuar me tre vjet burg për rekrutimin e luftëtarëve dhe pjesëmarrje në organizatën ekstremiste të lidhur me Pakistanin.

Hollande sot në mëngjes ka thirrur një takim urgjent, pas së cilës tha se vendi i tij po përballet me një kërcënim të “përmasave shumë të mëdha”.

“Franca nuk është vendi i vetëm që është kërcënuar nga terrorizmi, siç e pamë edhe një herë në SHBA, në Orlando”, tha presidenti francez.

Ministri i Brendshëm francez Bernard Cazeneuve dënoi vrasjen e policit francez dhe gruas së tij, në periferi të Parisit, duke theksuar se kjo ishte një “sulm qyqarë terrorist”.

Cazeneuve pas takimit urgjent me presidentin Hollande dhe me zyrtarë të tjerë të lartë tha se kërcënimi nga sulmet terroriste mbetet i lartë, por nuk ka paraqitur detaje rreth sulmit që ka alarmuar opinionin francez.

“Kërcënimi është i lartë në Francë, në Evropë, në botën perëndimore siç dëshmojnë ngjarjet që kanë ndodhur para 48 orëve në SHBA”, ka thënë ministri francez.

Cazeneuve vizitoi stacionin e policisë, ku punonte polici i vrarë 42-vjeçari Jean-Baptiste Salvaing. Polici francez dhe gruaja e tij u vranë në sulmin e ndodhur mbrëmë vonë në periferi të Parisit, ku pas operacionit të policisë sulmuesi u vra.

Sulmuesi me thikë vrau policin i cili me rroba civile kthehej nga puna në shtëpi dhe më pas ishte futur në apartamentin e tij në lagjen Magnanville duke rrëmbyer gruan dhe fëmijët e tij.

Pjesëtarët e forcave speciale “Raid” rrethuan ndërtesën dhe nisën negociata me rrëmbyesin. Negociatat nuk ishin të suksesshme, megjithatë, policia ndërhyri duke u futur në ndërtesën dhe vrau sulmuesin. Sulmuesi me këtë rast vrau edhe gruan e policit, kurse fëmijët u shpëtuan.

Mediat franceze po ashtu kanë raportuar se agjencia e lajmeve Amaq, e njohur për afërsinë e saj me organizatën terroriste DAESH, kishte njoftuar se “luftëtar i DAESH-it, në afërsi të Parisit në qytezën Les Mureaux, me armë të ftohtë kishte vrarë zëvendës shefin e policisë dhe gruan e tij”.

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button