Me këmbë e kokë komente, lajmi bëhet “jolegjitim”

[Recension:  Ahmetit i kaloi inati, Ivanovin “jolegjitim” e quan “president”

Politikanët duhet të “kapen për fjale”. Këtë në fakt ne si gazetarë e kemi punë. Të përcjellim politikanët kur shkelin fjalën e tyre të thënë publikisht, por në masë të duhur. Varësisht prej interesit publik, ne duhet t’u qëndrojmë pas për t’i kontrolluar dhe rikujtuar se çfarë kanë thënë e çfarë deklarojnë tani. Teksti që po recensojmë ka tentuar të respektojë këtë praktikë të gazetarisë, por është ‘kriposur’ me shumë komente, duke ulur kështu edhe rëndësinë e lajmit.

Ahmetit i kaloi inati Ivanovin “jolegjitim” e quan “president” – LAJM

Linku deri te artikulli origjinal: Ahmetit i kaloi inati, Ivanovin “jolegjitim” e quan “president”

Data dhe koha e publikimit: 03.06.2016, ora 15:31

Data e recensionit: 08.06.2016

Recensuese: Ferikan Iljazi

Nisma për këtë tekst ka qenë shkuarja e një prej antarëve të kryesisë së BDI-së në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë të presidentit si dhe termi “president” që e ka përdorur lideri i BDI-së Ali Ahmeti në një intervistë. Sipas autorit, këto dy elemente dëshmojnë se partia shqiptare në pushtet vetëm ka pasur për qëllim pengimin e shqiptarëve që të votojnë kundër Gjorge Ivanovit.

“Lajm” asnjëherë nuk ka menduar se BDI është serioze në kërkesën deklarative për “president konsensual” të promovuar në zgjedhjet presidenciale të vitit 2018, mirëpo një gjë të tillë dal ngadalë po e vërteton edhe vetë kryetari i BDI-së. Ne, që në fillim i patëm përkrahur dhe promovuar qëndrimet e shumë intelektualëve shqiptarë dhe maqedonas, se ideja e BDI-së dhe Ahmetit për “president konsensual” ka qëllimin e vetëm që të pengohen shqiptarët të votojnë kundër Ivanovit, mirëpo kjo dal ngadalë po del në shesh. Në intervistën e publikuar sot në BIRN, Ahmeti e ka quajtur Ivanovin president (term ndryshe nga ai i deritanishmi ‘president jolegjitim’), duke konfirmuar se jo më kot Talat Xhaferi merr pjesë në mbledhjet e Këshillit të Sigurisë te Ivanovi”

Komentet vazhdojnë edhe më tej. Sikur të ishte editorial, kolumnë apo opinion, komentohet çdo fjalë e thënë e Ahmetit, pa shpalosur ndonjë informatë, burim ose provë shtesë për atë që flitet.

“Kemi përshtypje se përmes kësaj interviste Ahmeti megjithatë u ka bë apel shqiptarëve të mos votojnë atë dhe BDI-në, posaçërisht në pjesën kur flet për konfliktin e Kumanovës. Lidhur me këtë rast, Ahmeti thotë se kur ka marrë vesh çka po ndodhë ka qenë vonë, kurse dihet botërisht se votën e qytetarëve nuk e meriton një politikan që merr vesh vonë për ngjarje dhe incidente ku pësojnë shokë dhe votues të tij”

Autori ka kaluar pak në humor që nuk i bën dëm askujt.

“Ndryshe, si në shumë intervista tjera, edhe në intervistën për BIRN Ahmeti ka gafe të shumta, të cilat nuk do t’i analizojmë veç e veç, sepse lexuesit do të mendojnë se “Lajm” ka ndonjë inat ndaj BDI-së ose Ahmetit. Sa për “Lajm” Ali Ahmeti edhe 100 vjet me mbet në pushtet nuk na prish punë, sepse mos të ishte ai dhe BDI-ja, për çfarë gafesh dhe skandalesh do të shkruanim ne?”

Të ishte shkruar ky tekst në rrethana të tjera apo në rubrikë tjetër, do të kishte pasur shumë më tepër peshë. Por, në këtë formë dhe në rubrikën e lajmeve, nuk mban ujë. Pavarësisht faktit se ndoshta ideja e autorit ka qenë më e pastër dhe më e qartë se sa duhet në ekran, ai ka mundur të bëjë më shumë. Me pak mund, do të ishte arritur qëllimi që të rikujtohet se Ali Ahmeti nuk e ka respektuar fjalën e tij, nëpërmjet citimit të disa deklaratave të mëhershme, intervistimit të analistëve politikë në këtë moment ose bërjes së ndonjë ankete me qytetarët, por jo me përcjelljen e disa mendimeve të intelektualëve që kushedi kur i kanë thënë, e sigurisht se jo me komente në përmbajtje dhe rubrikë informative. E gjithë kjo ia humb peshën mundit të investuar dhe lajmit.


Ky recension është përgatitur nga kuadër të Projektit të USAID-it për përforcimin e mediumeve në Maqedoni – Komponenta Shërbimi për verifikimin e fakteve nga mediumet, që implementohet nga fondacioni Metamorfozis.. Ky recension është mundësuar me përkrahjen e Agjencisë amerikane për zhvillim ndërkombëtar (USAID). Përmbajtja e analizës është përgjegjësi e autorit dhe nuk i paraqet qëndrimet e fondacionit Metamorfozis, USAID-it ose të qeverisë së SHBA-ve. Për më tepër informata për punën e USAID-it në Maqedoni, ju lutemi vizitoni ueb-faqen e USAID-it: (http://macedonia.usaid.gov) dhe faqen e USAID-it në Facebook: (www.facebook.com/USAIDMacedonia).

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button