DIÇKA NË SYTË E TIJ

Më kujtohet kafja jonë ditën e parë në punë. Pamja e tij dhe ndjesia ime.

…kryesisht jam e përqëndruar në takimin e parë me këdo. Shpesh, dhe me kalimin e viteve gjithnjë e më shpesh, njohtimi na bëhet udhëzues për tjetrin. Rrallë, e me kalimin e viteve gjithnjë e më rrallë, njohtimi s’na flet asgjë.

Përvoja dhe teoria na mësojnë se në procesin e Leximit njerëzor prioritet ka joverbalja.

Tek sinjalet trupore jemi më të sinqertë, aty nuk mundemi, sado që duam, të fshihemi pas fjalëve. Fjalët i ujdisim më lehtë, shprehjen e fytyrës dhe trupit – jo aq. Shkurt: në komunikimin joverbal Ne jemi Ne.

Erxhani në shikim të parë m’la përshtypjen e të rehatshmit, dikujt që nuk e ka sikletin e të qenit në lëkurë të vet. Është parametër: si ndihemi nën lëkurën tonë? Ose ende më shumë: a e jetojmë jetën që do ta kishim zgjedhur edhe për së dyti?

E kishte shikimin e hapur, dhe brenda syve buzëqeshej ngrohtësia.  Ashtu e shoh edhe sot në bashkëpunim të çdoditshëm. Të gjithë në televizion jemi mbi kokë të tij dhe kjo nuk është metaforë. Si shef i ekipit teknik nuk ka regjistër detyrash: gjithçka lidhur me teknikën lidhet me Erxhanin.

Nuk ka as orar. Në punë është herët në mëngjes, në punë është vonë në mbrëmje, gjatë ditës. Në punë vjen posa ti paraqitemi saherë që s’ia dalim dot pa të. Gjatë ditëve të hapjes së Shenjës flente në punë, ose më mirë thënë qëndronte ditë të tëra, i zverdhur, i koncentruar..

As të ankohet, as të lavdërohet.

Qetësia dhe qëndrimi i tij prej esnafi. Si në urtësinë latine, ai shpejton ngadalë.

Askush nuk ka parë ndonjë re sertësie ti kalojë, qoftë dhe shkurt nëpër fytyrë, ose ta ketë tonin e ndryshuar të zërit, pavarësisht rrethanave, pavarësisht njëqind vetave mbi kokë që nuk janë metaforë.

Erxhani ka qetësinë e burrit i cili e din se në shtëpi edhe pa të gjithçka funkcionon si duhet. Ka mbështetjen e gruas e cila e pret pa drama kthimin e tij nga puna pa orar.

Ai ka pasionin që i lehtëson sakrificat.

Autoritetin e butësisë.

Dhe brenda bebzave të syrit i rri strukur Ngrohtësia…

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button