Basha: Bashkimi dhe ribashkimi i gjithë demokratëve, detyra jonë

Në 23 vjetorin e themelimit të degës së Partisë Demokratike në Durrës, nuk mund të mos kujtonte Sokol Olldashin, një ndër themeluesit e saj.

“Sokol Olldashi, miku ynë i shtrenjtë që u nda tragjikisht nga jeta para pak javësh, ishte një ndër më të rinjtë e kësaj bërthame çlirimtarësh këtu në Durrës, por edhe ndër më të guximshmit e më të vendosurit në krye të gjimnazistëve të këtij qyteti. 

Do ta kujtojmë e nderojmë kurdoherë si të tillë, si nismëtar, si qëndrestar, si opozitar, si ministër dhe figurë e ndritur e Partisë Demokratike”-u shpreh Basha. 

Duke iu kthyer politikës, kryetari demokrat bëri apel për ribashkim të të gjithë themeluesve dhe anëtarëve të partisë, të cilët gjatë viteve për shkaqe të ndryshme janë larguar nga kjo forcë politike.

“Bashkimi dhe ribashkimi i gjithë themeluesve pa përjashtim, nga partia në qendër e deri te seksioni më i vogël në bazë; bashkimi dhe ribashkimi i të gjithë atyre që kanë kontribuar, që kanë qëndruar, që kanë mbajtur të fortë e të pathyeshme Partinë Demokratike, që janë ringritur nga humbjet, që kanë qenë protagonistë të rikthimit të Partisë Demokratike në forcë të madhe të qeverisjes dhe ndryshimit të Shqipërisë; bashkim dhe ribashkim në respekt të dinjitetit dhe personalitetit të secilit; pra Bashkimi me B të madhe është detyra jonë, është imperativi ynë, është apeli dhe direktiva ime për gjithë demokratet dhe demokratët, nga më i vjetri tek më i riu”- apeloi kreu demokrat.

Ribashkimin e kërkoi për t’iu kundërvënë mazhorancës qeverisëse, e cila sipas Bashës, po varfëron vendin dhe pengon integrimin.

“Ribashkimi i gjithë demokratëve është një domosdoshmëri e kohës që jetojmë, e politikes, e Shqipërisë së sotme dhe të nesërme. 
Partia Demokratike e ribashkuar është një nevojë kombëtare sepse ne jemi alternativa e pushtetit të së majtës, ne jemi shpresa për të ndalur e larguar nga pushteti qeverinë e zhbërjeve, qeverinë e negativitetit, qeverinë e dështimit të madh me statusin, e cenimit te marrëdhënieve të shkëlqyera me partneret tanë amerikanë dhe europianë, qeverinë që po projekton varfërim dhe papunësi për shqiptarët, qeverinë që nëpërkëmb e kërcënon çdo ditë demokracinë, kushtetutën dhe ligjin, qeverinë që është përgjegjëse e drejtpërdrejte për dy dhe trefishimin e krimit dhe pasigurisë për jetën dhe pronën e shqiptarëve, qeverinë që ka gjymtuar administratën, qeverinë që rrezikon recesionin dhe destabilizimin.

Bashkim dhe ribashkim do të thotë asnjë i mënjanuar (i tepërt jo se jo), asnjë i nënvlerësuar, asnjë i paragjykuar”- vijoi Basha.

Për Bashën, hapja e partisë ndaj të rinjve, është një tjetër prioritet.

“Vizioni për PD-në si shtëpi e madhe e lirive, ku ka vend për këdo dhe ku mirëpritet me krahë hapur, me derë të hapur dhe me zemër të hapur çdokush që dëshiron të angazhohet dhe të japë kontributin e tij apo të saj nëpërmjet forcës sonë politike për Shqipërinë europiane, për Shqipërinë e zhvilluar, për Demokracinë e re.

Alternativa e Demokracisë së re është leximi prej nesh i stadit të sotëm të zhvillimit të shoqërisë shqiptare, i kulturës dhe mendësive të reja që po sjell brezi i ri, që u pa edhe në protestat e rinisë dhe qytetarëve të lirë kundër shpërfilljes qeveritare mbi armët kimike.
Kjo është alternativa e demokracisë pjesëmarrëse, si një element mungues i demokracisë sonë në vite; një demokraci që mbështetet në vlerat e dialogut konstant me publikun, të dëgjesës dhe konsultimit të përhershëm me qytetarët, të transparencës dhe llogaridhënies para tyre”- theksoi kreu i PD-së.

Gjatë ceremonisë, ku morrën pjesë edhe përfaqësues të partive aleate, Basha tha se koncepti i demokratëve për demokracinë e re do të kompletohet me alternativat e reja të zhvillimit ekonomik, shoqëror dhe kulturor.

Lajme të ngjashme

Back to top button