Vetëvendosje: Vazhdimi i misionit të EULEX-it, heqje dorë nga drejtësia

Lëvizja Vetëvendosje konsideron se me vazhdimin e misionit të EULEX-it në Kosovë deri në vitin 2018 është hequr dorë nga drejtësia.

“EULEX-it nuk duhet t’i zgjatet jeta sepse prania e tij nuk mund të jetë e dobishme në asnjë rrethanë. Kosova duhet të pushojë se trajtuari nga BE si çështje e sigurisë në kuadër të menaxhimit të krizave. Nga kjo paradigmë duhet kaluar tek nevoja për drejtësi, zhvillim e mirëqenie. E drejtësia nuk vjen asnjëherë nga jashtë dhe vetë EULEX-i është dëshmi për këtë”, thekson kjo Lëvizje.

Sipas VV-së misioni i BE-së për sundim të ligjit erdhi në Kosovë me premtimet për luftim të krimit dhe korrupsionit si dhe forcim të sistemit vendor të drejtësisë.

“Asnjëra nga këto dy premtime nuk u realizua ngase qëllimi i vërtetë i EULEX-it asnjëherë nuk ka qenë drejtësia në Kosovë. Kjo trupë që nga fillimi ka pasur për qëllim menaxhimin e krizave dhe ruajtjen e stabilitetit. E ruajtja dhe stabilizimi i situatës për realitetin kosovar nënkupton stabilizim të krimit e korrupsionit që rrënjët i ka në majën e piramidës shtetërore. Si rezultat i kësaj paradigme”, thuhet më tej në kumtesë, transmeton Tesheshi.

VV më tej shton se EULEX-i u përfshi edhe vetë në menaxhimin e politikës ditore, duke ndërtuar raste sipas porosive dhe interesave të partive në pushtet.

“Kjo e bëri EULEX-in pjesë të organizimit kriminal të pushtetit në Kosovë. Institucionet e Kosovës kanë nevojë për EULEX-in sepse autoriteti ekzekutiv i tij u shërben atyre si alibi për mungesën e përgjegjësisë, kurse EULEX-i e do Kosovën pafundësisht me krim e korrupsion sepse kështu ndërtohet justifikimi për t’ia zgjatur vetes jetën” theksohet në kumtesën e VV-së.

Ndryshe, vendimi për zgjatjen e mandatit të këtij misioni edhe për dy vjet të tjera në Kosovë u morr në mbledhjen e sotme të qeverisë së Kosovës.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button