Në titull sensacion dhe manipulime, në tekst pa fakte e me spekulime

[Recension: Prokurorja Fetai nesër në ora 11:00 do të tregon se cilët politikanë shqiptarë dhe maqedonas duhet të arrestohen]

Manipulimet në titull për përfitimin e lexueshmërisë, për fat të keq, kanë marrë hov në gazetarinë online. Gati çdo ditë ballafaqohemi me tituj bombastik, të cilët tërheqin vëmendjen e lexuesve, mirëpo me t’u futur brenda tekstit, shohim një “hiç” nga ajo që është paralajmëruar në titull. I tillë është rasti me përmbajtjen që po e recensojmë, e cila paralajmëron se do të ndodhë diçka të madhe, mirëpo në fakt nuk ofron asnjë argument me të cilin do të mbështesë pretendimet. Në Doracakun për Gazetarë thuhet se “titulli ose paralajmërimi i kontributit patjetër duhet të jetë në harmoni me përmbajtjen e tij”.

ZHURNAL Linku deri te artikulli origjinal: Prokurorja Fetai nesër në ora 11:00 do të tregon se cilët politikanë shqiptarë dhe maqedonas duhet të arrestohen

Data dhe koha e publikimit: 05.06.2016

Data e recensionit: 08.06.2016

Recensues: Benjamin Arifi

“Prokuroria Speciale në Maqedoni ka paralajmëruar pres-konferencë të jashtëzakonshme për nesër në ora 11:00. Prokuroja Speciale, Katica Janeva, e shoqëruar nga prokurorja Fatime Fetai do të shpalosin aktakuzën dhe hetimet më të reja që i ka kryer kjo prokurori ndaj tre politikanëve në Maqedoni, shkruan Zhurnal”.

Autori i tekstit nuk ka treguar se ku i mbështet pretendimet e tij, fillimisht se do të ketë konferencë për shtyp nga ana e Prokurorisë Speciale e më pas se numri i politikanëve për të cilët do të hapet aktakuzë janë tre, madje se në mesin e tyre do të ketë edhe politikanë shqiptarë. Të nesërmen lajmi u demantua. Prokuroria Speciale nuk mbajti pres konferencë “të jashtëzakonshme”, ashtu siç pretendohej se do të ndodhë në këtë artikull.

Asgjë më shumë nuk e shkakton humbjen e besimit të lexuesve ndaj një mediumi se sa shpërndarja e informacioneve të paverifikuara. Për këtë shkak, gazetari është i obliguar të jep informacione të sakta. “Saktësia e informatës duhet verifikuar sa më shumë që është e mundur”, qëndron në Kodeksin Etik për Gazetari. Meqenëse bëhet fjalë për Prokurorinë Speciale, atëherë, para se të publikohet informacioni, është dashur të kontaktohet me Prokurorinë Speciale për të vërtetuar informacionin se të nesërmen me të vërtetë do të mbahet konferencë për shtyp dhe se nga kjo Prokurori do të shpaloset ndonjë rast tjetër. Mirëpo, në tekst nuk informohet nëse është kërkuar konfirmim për informacionin, ose se të paktën se është tentuar të bëhet kjo.

Përveç që është huqur tërësisht termini i konferencës për media, gazetari është thelluar edhe në detaje, duke shkruar se do të hetohen politikanë shqiptarë, edhe pse dihet se hetimet e Prokurorisë Speciale janë të fshehta, dhe çdo parashikim i tillë është thjeshtë spekulim.

__________________________________________________________________________
Ky recension është përgatitur nga kuadër të Projektit të USAID-it për përforcimin e mediumeve në Maqedoni – Komponenta Shërbimi për verifikimin e fakteve nga mediumet, që implementohet nga fondacioni Metamorfozis.. Ky recension është mundësuar me përkrahjen e Agjencisë amerikane për zhvillim ndërkombëtar (USAID). Përmbajtja e analizës është përgjegjësi e autorit dhe nuk i paraqet qëndrimet e fondacionit Metamorfozis, USAID-it ose të qeverisë së SHBA-ve. Për më tepër informata për punën e USAID-it në Maqedoni, ju lutemi vizitoni ueb-faqen e USAID-it: (http://macedonia.usaid.gov) dhe faqen e USAID-it në Facebook: (www.facebook.com/USAIDMacedonia).

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button