A po humb diplomacia në kaosin politik në Maqedoni?

Gjermania kërkon zgjedhje të shpejta dhe Qeveri teknike. Se duhet të vazhdojë dialogu për dalje nga kriza porositi edhe i dërguari special i Gjermanisë Johanes Hajndëll.

Zgjedhjet do të duheshin të vijnë si rezultat i dialogut në mes 4 partive nënshkruese të Marrëveshjes së Përzhinos. Rezultat ky që duket i paarritshëm kur kemi parasysh dështimin e palëve negociuese të dalura nga Përzhino.

Njohësit e rrethanave politike në vend, në deklaratat e tyre për Portalb thonë se zgjidhja e krizës nuk pritet të ndodhë shpejtë dhe se do të zgjasë procesi.

“Situata nuk është e lehtë për t’u zgjidhur brenda një periudhe të shkurtër. Hajndëlli por edhe diplomatët tjerë pritet të kenë një angazhim të shtuar me qëllim që të krijojnë kushte dhe bazë për të nisur implementimin e reformave prioritare të nënvizuara në raportin e Pribes dhe zbatimin e obligimeve nga Marrëveshja e Przhinos. Zgjidhja e krizës nuk pritet të ndodhë shpejtë, por do të jetë një proces që do të kërkojë kohë”, tha për Portalb Xhelal Neziri, analist.

Sipas politologut Deniz Memedi edhe një herë po dëshmohet se “diplomacia soft” e parapelqyër nga shtetet Evropiane nuk po jep rezultate frytëdhënëse dhe përgjigje më e mirë është situata kaotike që po dominon në Maqedoni.

“Me këtë qasje procesi është stërzgjatur, u morën vendime fatale që më pas të tërhiqen. E gjithë kjo tregoi joseriozitetin ndaj qasjes si dhe ndaj marrjes së përgjegjësive të zotuara prej Marrëveshjes së Përzhinos. Në rast se nuk aplikohet ta themi në forme simbolike “bulldozher diplomacia” nga faktori ndërkombëtarë, kjo qasje e partive politike, sidomos partisë më të madhe maqedonase VMRO-DPMNE, do të vazhdojë të stërzgjatet edhe më tutje duke pasur parasyshe se zgidhja sa më shpejtë e krizes aktuale do të rezultojë edhe me dhënie më të shpejtë të llogarisë nga skandalet korruptive që Prokuroria Speciale çdo ditë po i nxjerr në pah”, theksoi për Portalb Memedi.

BDI dhe PDSH me mendime të ndryshme rreth zgjidhjes eventuale

Sot me Hajndëll u takua edhe kreu i BDI-së Ali Ahmeti dhe Menduh Thaçi lider i PDSH-së. Të dy partite shprehën mendime të ndryshme rreth mundësisë për zgjidhje.

Ahmeti konsideron që tërheqja e tërësishme e faljeve nga z. Ivanov mundëson dialog për përpilim dhe miratim të reformave prioritare.

“Partitë politike duhet të angazhohen për miratimin e ligjeve dhe plotësimin e kushteve për mbajtje të zgjedhjeve parlamentare si dhe të mbështesin Komisionin Shtetëror Zgjedhor dhe Prokurorinë Speciale që ta bëjnë punën e vet të përcaktuar me ligj”, potencoi Ahmeti në kumtesën e tij për media.

Ndërkaq, Thaçi tha se dyshon që tentimi i Hajndëll do të rezultojë me ndonjë sukses dhe rezultat. “Nuk kam diçka të re të ju them. Çështja është në vend. Rikthimi i Qeverisë së vjetër VMRO-DPMNE dhe BDI e ka komplikuar situatën”, theksoi ai./Portalb

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button