Refugjatët sirianë: një tjetër Ramazan larg shtëpive

Ramazani, muaji i veçantë për muslimanët, është edhe një rast për refugjatët sirianë në Turqi që të kujtojnë vatanin e tyre të përfshirë nga një konflikt i përgjakur që nuk po ka të sosur, ndërkohë që shumë prej tyre jetojnë nëpër kampe refugjatësh afër qyteteve kufitare, vetëm disa kilometra larg nga Siria, njofton Tesheshi.

Ky muaji që simbolizon mirënjohjen dhe durimin, filloi me zgjimin e miliona muslimanëve për syfyrin e tyre të parë, që është vakti të cilin ata e hanë para se të fillojë agjërimi, që zgjat tërë ditën.

Një pamje e tillë është parë edhe në kampin e refugjatëve në Dulkadiroğlu, Kahramanmaraş, qytet ky afër kufirit turko-sirian.

Shumica e më shumë se 18,000 refugjatëve, sa banojnë nën tenda, u tubuan rreth tabakëve të mëdhenj të mbushura me ullinj, djath, domate dhe bukë, të vendosura në tokë, për të ngrënë syfyr.

Për shumë prej tyre, ky është Ramazani i pestë në Turqi.

Khidr Yetim, baba i dy fëmijëve, pret me padurim ditën kur këtë muaj do e kalojë në Siri, në vendin e tij, shtëpinë e tij. E megjithatë, ai është mirënjohës ndaj Turqisë dhe popullit të këtij vendi për kujdesin e treguar ndaj tyre.

“Shpresoj që ky Ramazan do të sjellë fundin e luftës dhe kthimin në shtëpitë tona’’, tha ai.

Mirza Ammari do të kalojë Ramazanin e tij të katërt në Turqi bashkë me shoqen dhe tetë fëmijët e tij.

Për të, e vetmja e metë e këtij Ramazani është se po e kalojnë jashtë vendit të tyre.

“Ndihem si në shtëpinë time këtu në Turqi, por ndihem po ashtu i ndarë nga vendi im. Shpresoj të kthehem sa më shpejtë në Siri bashkë me familjen time’’, thotë ai.

Fatma Kaddur, një grua që jeton në kamp i bashkangjitet lutjes. ‘”Ne lutemi çdo ditë dhe natë që të kthehemi në Siri’’, thotë ajo
Turqia është mikëpritësja e më shumë se 2,7 milion sirianëve dhe një numër i vogël syresh, 259,000 sipas shifrave më të reja, jetojnë në 26 kampet e refugjatëve në qytetet afër kufirit.

Këto kampe kanë marrë lëvdata nga komuniteti ndërkombëtar për kushtet që ofrojnë; prej dyqaneve me artikuj ushqimorë deri te klinikat dhe njësitë e banimit.

E pasi shumica e banorëve janë muslimanë, kampet po ashtu ofrojnë çdo gjë që ju nevojitet në Ramazan, përfshirë xhaminë e madhe.

Ndërsa për ata refugjatë jashtë kampeve dhe personat e zhvendosur përbrenda Sirisë, organizatat humanitare të Turqisë kanë nisur fushatat e ndihmave.

Fondacioni Diyanet, organizatë humanitare e lidhur me qeverinë turke, ka ngritur një kamp me tenda në Azaz, në qytetin sirian të Alepos për më shumë se 4,000 njerëz, ku bëjnë furnizimin me ushqim, përfshirë vaktet ditore, pajisjet dhe shërbimet themeltare për të zhvendosurit.

Zonat veriore në afërsi me kufirin turk janë duke vuajtur nga mungesa e ushqimit, dhe Kombet e Bashkuara kanë apeluar te regjimi i Asadit që të lejojë hyrjen e ndihmave humanitare për zonat e rrethuara.

Megjithatë, qasja në terren për të dërguar ndihmat mbetet e kufizuar, ndërkohë që nuk shihet ndonjë zgjidhje për luftën civile në horizont. Ndërkohë, regjimi sirian nuk nuk ka reaguar ende ndaj një plani ndërkombëtar për të filluar shpërndarjen e ndihmave këtë fillimqershori.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button