Shkup, debat për ndryshimet klimatike dhe menaxhimin e ujërave

Në ambientet e Sekretariatit për Çështje Evropiane me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Mjedisit Jetësor, në kuadër të fushatës “BE Bisedime” u realizua debati me temë “Marrëveshja e Parisit – Ndryshimet klimatike dhe menaxhimi i ujërave”, raporton Anadolu Agency (AA).

Debati udhëhiqej nga zëvendëskryeministri i Maqedonisë për Çështje Evropiane, Arbër Ademi, i cili theksoi se sa i përket ndryshimeve klimatike, Maqedonia në mënyrë intensive shfrytëzon mjetet e BE-së, siç janë IPA Fondet dhe donacione të tjera bilaterale.

“Vetëm në kuadër të IPA1 është përgatitur program operativ për zhvillim rajonal për periudhën 2007-2013 dhe ky program ka për qëllim që të mbështes ambientin jetësor, të përmirësoj cilësinë e jetës dhe zhvillimin ekonomik. Ndërsa në kuadër të IPA2 për periudhën 2013-2020 në Maqedoni janë parashikuar mjete në shumë prej 113 milion euro”, deklaroi Ademi.

Ai shtoi se procesi i përafrimit të legjislacionit kombëtar me legjislacionin e BE-së ka bërë që kohëve të fundit të miratohen një numër i madh i parimeve me masat për njoftimin dhe monitorimin mbi zbutjen efektive të ndryshimeve klimatike, parime të cilat zbatohen në të gjitha vendet anëtare të BE-së.

Ndërkaq, ambasadorja franceze në vend, Laurence Auer bëri të ditur se më 4 korrik të këtij viti, në Paris do të mbahet një samit mes vendeve të Ballkanik Perëndimor, i cili do të ketë synim të vendos mjedisin në krye të prioriteteve të qytetarëve, Ballkanit, por edhe Evropës.

Në debat pjesëmarrës ishte edhe ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Bashkim Ameti, si dhe përfaqësues të sektorit qeveritar, organizatat civile dhe profesorë të cilët veprojnë në fushën e mjedisit jetësor.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button