Shqiptarët, një identitet i lashtë evropian

(Teksti i përkthyer i fjalimit tim të lexuar para të pranishmëve në Konferencën Ndërkombëtare dhe Interdisciplinare “Identiteti Evropian i shqiptarëve” mbajtur në Fakultetin e Filologjisë Polake dhe Klasike, Universiteti Adam Mickiewitz në Poznan të Polonisë, me 23 Maj 2016, nën organizimin e Institutit të Filologjisë Sllave dhe Rrethit Hulumtues Studentor të Albanologjisë – AMU)

Të nderuar pjesëmarrës në Konferencë,
Është një nder i madh për mua të kem privilegjin të flas para jush. Një përshëndetje e veçantë shkon për studentët e Universitetit në Poznan. Punimi të cilin do ta paraqes para jush sot, është titulluar “Shqiptarët, një identitet i lashtë evropian”. Është me interes për audiencën në Poloni por dhe më gjerë, të sqaroj se shqiptarët identifikojnë vetveten si shqiptarë, jo thjeshtë në kontekstin e shtetasit të Shqipërisë. Shqiptarët sot kanë një nga atdhetë më të copëtuar në botë, dhe përdorimi i identifikimit si “shqiptarë” nuk ka një konotacion gjeografik më kufijtë e tanishëm shtetërorë, por është një identifikim etnik e rrjedhimisht me këtë edhe gjuhësorë gjithashtu.
Shqiptarët të cilën mbetën jashtë kufijve të Shqipërisë, qysh kur këta kufij u përcaktuan me 1913 në Konferencën e Londrës, nuk konsiderojnë vetën e tyre aspak më pak shqiptarë se ata që kanë mbetur brenda Shtetit të Shqipërisë. Prandaj, edhe titulli i këtij adresimi tim tek ju tani, duhet kuptuar në relacion me të gjithë shqiptarët etnik kudo që janë.
Kush janë shqiptarët? Është një pyetje që ngritët shpesh në dimensione të ndryshme aty ku shkenca nuk ka ndriçuar sa duhet në mjegullën e krijuar nga zhvillime gati vazhdimisht ekstreme në Evropën Juglindore gjatë gjithë së kaluarës. Shkencës sigurisht i duhet më shumë kohë dhe më shume zhvillime teknologjike që ta përkrahin atë, sikurse në arkeologji, ashtu edhe në gjuhësi, me qëllim që të kompletojë përgjigjen e sajë mbi paraardhësit e shqiptarëve. Gjithsesi, ka një konsensus në vija të trasha të pranuar në mesin e qarqeve shkencore, mbi faktin se shqiptarët janë një nga popujt më të vjetër në kontinent, autokton në trevat ku ata jetojnë sot në atdheun e tyre shumë të copëtuar.
Konsensusi i dytë i arritur në mesin e qarqeve shkencore, posaçërisht në mesin e linguistëve, është ai se shqiptarët janë bartës të një gjuhe shumë të lashtë, një nga dy gjuhët e mbijetuara paleo-ballkanike, gjuha tjetër e mbijetuar është greqishtja e vjetër. Padyshim, kjo gjuhë paleo-ballkanike e folur në konglomeratin e gjerë të territoreve iliro-dardane, është latinizuar mjaft dukshëm gjatë Perandorisë Romake dhe asaj Romake Lindore në procesin e urbanizimit masiv i cili ndodhi në Dardani (Kosova e sotme dhe viset rreth sajë), kur qytetarët e vendbanimeve e qyteteve kryesore si në rastin e Ulpianës, flisnin latinisht së paku sa i përket korrespodencës zyrtare. Sërish, gjuha shqipe ka ende aftësinë e saj të sotme që të mbaj brenda sajë thesarin e madh të një gjuhe të lashtë të folur nga fise të cilat formësuan brumin e para-shqiptarëve e deri te shqiptarët e sotëm. Kjo gjuhë e lashtë dhe shumë e veçantë e familjes së gjuhëve Indo-evropiane, është mjeti më i fuqishëm për të drejtuar sot një shkencëtarë të interesuar gjatë studimit të kulturës, etnicitetit, dhe sigurisht vetë identitetit shqiptar.
Sikur se edhe është normale për të gjithë popujt, rrethanat historike kanë një rendësi të veçantë përgjatë fazave të zhvillimit të një identiteti. Pas ndarjes së Perandorisë Romake, shqiptarët patën fatin të jetojnë në vijën ndarëse të dy perandorive. Në thelb, kjo rezultoi me një garë të dy kishave të kohës në kuptimin se cila prej tyre do të dominonte në shoqëri. Së bashku me pushtimin osman që nisi që nga shekulli XIV, kjo minimizoi shkrimin në gjuhën shqipe për një kohë të gjatë, njëkohësisht ishte i pritshëm synimi natyrshëm i humanistëve shqiptar si Marin Barleti (150-1513) të shkruajnë në latinisht, si një formë e standardizuar e kuptueshme për lexuesit në një shkallë më të gjerë evropiane. Më parë, shumë para Barletit, Shqipëria kishte një Universitet të themeluar në qytetin bregdetar të Durrësit me 1380, i cili më pas u bart në Zarë (sot Kroaci). Ky ishte edhe fati i një të tretës të popullatës shqiptare, të cilët migruan në Italinë jugore dhe Greqi, ku komunitetet e sotme të Arbëreshëve dhe Arvanitasve janë të pranishme.
Në realitet, kjo letërsi e zhvilluar si dhe format tjera të shkrimit për qëllime informuese, pavarësisht se pak në numër për shkak të pozitës së vështirë në të cilën u gjend gjuha shqipe, gjithsesi qartazi flasin mbi atë se identiteti evropian i shqiptarëve është shumë më i vjetër se sa që sot realisht perceptohet nga një pjesë e opinionit. Shumë më pas Barletit, ipeshkvi katolik Pjetër Bogdani (1630-1689) me shkrimet e tij është dëshmi e qartë e një letërsie në vazhdimësi e cila afirmoi këtë identitet. Është pikërisht Bogdani ai i cili inspiroi në pikëpamjet e tij intelektualin kosovar Ibrahim Rugova, më vonë President i Kosovës, lider i pakontestueshëm i kundërshtimit shqiptar ndaj regjimit të Millosheviqit, si dhe figura kyçe e forcimit të identitetit evropian në mesin e shqiptarëve.
Sikur se është rast me popullin polak gjatë disa proceseve historike të rrezikshme, gjithashtu edhe shqiptarët kanë përjetuar rrezikun e kërcënimit nga zhdukja totale, madje edhe së voni me 1999 gati një milion kosovar u dëbuan dhunshëm nga vendi i tyre. Përkundër autoktonisë në atdheun e tyre, nuk ka edhe aq shembuj të ngjashëm në shkallë të gjerë në botë, të cenimit të identitetit apo madje edhe të vetë pranisë biologjikë, siç u ka ndodhë shqiptarëve. Kjo nuk është thjeshtë një çështje e së kaluarës, por edhe pjesë e disa rrethanave shumë moderne politike, të cilat dinë te jenë shumë të ashpra ndaj shqiptarëve. Represioni ka qenë i ndryshueshëm varësisht nga periudhat nëpër të cilat shqiptarët kanë kaluar, por një mohim i veçantë i identitetit të tyre, ishte posaçërisht mohimi i identitetit të tyre evropian. Propaganda e ndërmarrë nga disa qarqe albanofobe është ende aktive në këtë fushë, kurse tani po kalkulon edhe me pasqyrën e shpikur të shqiptarëve si “ekstremist islamik”. Më parë kjo propagandë ka qenë edhe më e ashpër. Synimi ishte të diskreditohet identiteti evropian si një rrugë për të shtypur kërkesat shqiptare që të jenë vetë zotë në atdheun e tyre.
Duke diskredituar identitetin evropian, ka pas edhe ende ka përpjekje për të provuar krijimin e një lloj ndarjeje apo të një kufiri artificial ndërmjet identitetit shqiptar dhe civilizimit perëndimorë, respektivisht atij evropian. Gjithsesi, kjo politikë negative ka prodhuar efektet e saj të dëmshme tanimë dhe sidomos në të kaluarën, kurse efekte posaçërisht të dëmshme kishte në fillim të shekullit të kaluar, gjatë procesit të përcaktimit të kufijve shtetërorë në Ballkan, ku shqiptarëve iu la vetëm një hapësirë minimale gjeografike që të mbijetojnë aty, shumë më e vogël se hapësira në të cilën jetonin. Kjo është arsye, pse shqiptarët janë sot të shpërndarë si popull autokton në gjashtë shtete.
Me 1913, në Beograd u botua libri me titull “Arnautët dhe fuqitë e mëdha”. Autori Vladan Djordjevic, dikur kryeministër dhe shef i diplomacisë së Serbisë, nuk hezitoi që vetëm thjeshtë të cenojë identitetin evropian shqiptar, por madje edhe në mënyrë të paturpshme e krejtësisht raciste do të shpifë mbi një natyrë sub-humane të shqiptarëve. Ishin këto kohëra kur shqiptarët po dilnin gradualisht nga zgjedha pesë shekullore e Perandorisë Osmane, në të cilën ishte plotësisht e ndaluar gjuha shqipe. Kurse shtypja ndaj shqiptarëve nga ana e fuqive të reja ballkanike po i vente ata në disavantazh sa i përket mundësive për të kundërshtuar propagandime të tilla si atyre të Djordjevic. Libri racist mbi shqiptarët, do të përkthehet në disa gjuhë evropiane duke dezorientuar opinionin evropian pikërisht në kohën kur përcaktohej fati i shqiptarëve. Koha më pas do të dëshmojë fuqishëm, se çështja shqiptare ishte përcaktuar aq padrejtësisht, sa ajo do të gjejë një qetësi më shumë vetëm pas krijimit të shtetit të pavarur të Kosovës, një shekull më vonë.
Tani kur përpjekjet për afirmimin e identitetit të përbashkët evropian janë në zhvillim e sipër, kërkohet që brenda vetë Evropës të ketë më shumë vetëdije, për të ri-shtrirë fuqishëm praninë e saj. Shqiptarët gjithmonë janë ndje evropian, kurse liria të cilën po e shijojnë si dhe të cilën do ta kenë gjithnjë e më shumë për shkak të proceseve demokratike të paevitueshme, do të tejkalojë çfarëdo dileme. Identiteti evropian shqiptar nuk është thjeshtë një politikë e mendjes së hapur, por mbi të gjitha është një rrugë kulturore mirë e definuar. Në anën tjetër, qarqe politike dhe kulturore në Evropë, nuk duhet të monitorojnë shqiptarët nën prizmin e përkatësisë heterogjene religjioze që shqiptarët kanë, ngase ky do të ishte një animozitet paradoksal që të zë më tej vend në Evropën e vlerave të lirisë.
Duke përshkruar procesin e identitetit të vulosur evropian në mesin e shqiptarëve, shkrimtari i famshëm Ismail Kadare do të shkruan: “U duk sikur kontinenti mëmë, i penduar për harresën e gjatë, po kujtohej me në fund për popullin e braktisur”. Duke kujtuar fjalët e Kadaresë, është e nevojshme edhe një herë të konkludohet se Evropa i ka lënë shqiptarët dy herë në harresë zhdukëse, hera e parë ishte kur ushtria krenare e Skënderbeut u la e vetme në përballje me osmanët, kurse hera e dytë ishte kur shqiptarët u la në pjesën lindore të perdes së hekurt nën regjimin e brutal komunist të sponsoruar nga Moska. Përkundër këtyre dy tragjedive, identiteti evropian dhe përcaktimi për të qenë në tërësi pjesë politike, ekonomike dhe kulturore e Evropës, është më i fuqishëm se asnjëherë. Ky konkludim vjen si një reflektim i qartë nga të gjitha segmentet e jetës në Shqipëri, Kosovë dhe vendet tjera ku jetojnë shqiptarët, e si i tillë mund të shihen kudo, në letërsi, muzikë, apo edhe kinematografi.
Ju faleminderit ! Mirupafshim Poloni !

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button