Merkel: Nuk ka vend për brengosje rreth marrëveshjes BE-Turqi

Kancelarja gjermane Angela Merkel ka hequr sot dyshimet dhe shqetësimet lidhur me marrëveshjen BE-Turqi për refugjatët për të shtuar se Ankaraja ka nevojë për më shumë kohë që të përmbush detyrimet e marrëveshjes te pjesa e liberalizimit të vizave, raporton Anadolu Agency (AA).

Duke folur në një konferencë për mediat, Merkel ka ripërsëritur përkushtimin e Gjermanisë për zbatim të marrëveshjes ndërkohë që njoftoi për një takim mes zyrtarëve të Komisionit Evropian dhe Turqisë në të cilin do të shqyrtohen dallimet.

“Nuk jam e brengosur, më shumë do të thoja se kemi nevojë për kohë shtesë në mënyrë që të trajtojmë disa nga çështjet”, tha ajo.

Komentet e kancelares gjermane u bënë një ditë pas kritikave të ashpra të presidentit të Turqisë Recep Tayyip Erdogan lidhur me kërkesën e BE-së që Turqia të ndryshojë ligjin për antiterrorizëm në këmbim të heqjes së vizave për shtetasit e saj.

Merkel, e cila po përballet me kritika në Gjermani për siç thonë kritikët “politikës së dyerve të hapura kundrejt refugjatëve” dhe për bashkëpunimin e ngushtë me Ankaranë në çështjen e refugjatëve shprehu bindjen se dallimet do të tejkalohen.

“Besoj se të dyja palët janë të gatshme për bisedime të mëtutjeshme. Ky është perceptimi im”, tha Merkel, duke iu referuar përshtypjeve që ka marrë nga takimi me Erdoganin të hënën.

Ndryshe, Gjermania gjatë vitit 2015 u përball me fluksin më të madh të refugjatëve pas Luftës së Dytë Botërore duke pranuar mbi një milion refugjatë nga Siria, Iraku dhe Afganistani.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button