Shkup, ndërron jetë një lehonë 26 vjeçare, hetohen arsyet

Zyrtarisht, sipas drejtorit të Gjinekologjisë Çair, gruaja e re në spital ka ardhur në ora 9:30 minuta në mëngjes në gjendje të rëndë shëndetësore, frymëmarrje në gjendje të vështirë, cianide, buzë të mavijosura, ndërkaq menjëherë është dërguar në kujdes intensiv ku është reanimuar dhe i është dhënë oksigjen. Por, gjendja është bërë edhe më dramatike, lehona ka filluar të bie në komë. Pas një ore reanimim (tentim për ringjallje), mjekët kanë vendosur që ajo të lindë që ta shpëtojë foshnjën, transmeton Portalb.

“Gruaja e re befas erdhi dhe kërkoi ndihmë. Ishte rreth javës së 35-të të shtatzënisë, që do të thotë në muajin e 8 apo të 9. Nuk e njohim, shtatzënia nuk është ndjekur këtu. Ne menjëherë filluam që ta gjallërojmë, por gjendja u bë kritike. Në atë moment menduam edhe për foshnjën, për atë vendosim që të bëjmë lindje cezariane që të paktën ta shpëtojmë foshnjën”, tha për NOVA TV, drejtori i Spitalit special për Gjinekologji dhe Akusheri në Çair, Bashkim Ismaili.

Pas operacionit cezarian, me veturë të ndihmës së shpejtë, me dy anesteziologë dhe një gjinekolog, lehona rreth pasdites ka qenë e dërguar në Spitalin Kirurgjik të Qytetit “Shën Naumi i Ohrit”.

“Bëmë gjithçka që ishte në mundësitë e tona, madje edhe më shumë. Këtu ka ndodhur dramë e vërtetë, i tërë spitali ndihmoi, të gjithë ishin në këmbë”, tha Ismaili, transmeton Portalb.

NOVA TV, nga burimet e saja në Spitalin Kirurgjik të Qytetit mëson se lehona e re është sjellë në spital në orën 12:30 në gjendje shumë të rëndë mjekësore. Madje mjekët nuk kanë mundur që t’ia bëjnë të gjitha analizat e nevojshme, janë munduar që ta shpëtojnë, por njëri krah i mushkërisë së bardhë aspak nuk ka funksionuar. Ajo ka ndërruar jetë në ora 17:30, ndërkaq trupi menjëherë është dorëzuar në autopsi. Foshnja ka mbijetuar dhe është vendosur në inkubator në Klinikën për Sëmundje të Fëmijëve.

Mjekët nuk duan të spekulojnë se pse ka ardhur deri te komplikimet te lehona, derisa nuk përfundon autopsia.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button