Nisin punimet për TAP-in, Tsipras: 8.000 vende të reja pune

Në një ceremoni zyrtare, të zhvilluar në qytetin e Selanikut, është kryer përurimi i gazsjellësit Trans-Adriatik “TAP”, nën praninë e përfaqësuesve të lartë të 7 vendeve pjesë e këtij projekti të rëndësishëm në rajon, si dhe të të ftuarve të tjerë nga BE dhe nga SHBA.

Siç kanë theksuar në fjalimet e tyre kryeministri grek, Alexis Tsipras, dhe zv.kryeministri shqiptar, Niko Peleshi, kjo vepër konsolidon stabilitetin, zhvillimin ekonomik dhe sjell Shqipërinë dhe Greqinë, tashmë pjesë të korridorit të jugut, në një hartë të re të rëndësishme strategjike të energjisë në rajon dhe Europë.

Gazsjellësi i ri Trans-Adriatik (TAP) është projektuar të transportojë gazin azer përmes Greqisë veriore e Shqipërisë për në Itali, një investim që do të reduktonte varësinë energjetike të Europës nga Rusia. Ai do të jetë 878 kilometra i gjatë nga kufiri i Greqisë me Turqinë, deri në Italinë jugore, si dhe përfshin gjithashtu një shtrirje nën detin Adriatik prej 105 kilometrash. Shpërndarja e gazit drejt Europës pritet të fillojë në vitin 2020.

Kryeministri grek Alexis Tsipras tha gjithashtu se, projekti do të krijonte 8.000 vende të reja pune në vendin e tij që po vuan ekonomikisht, e që deri më tani ka një normë papunësie prej 24 për qind. Kreu i ekzekutivit grek foli gjatë ceremonisë së kësaj të marte, për fillimin e ndërtimit të gazsjellësit në qytetin verior portual grek.

“TAP” është një projekt bashkërisht i investuar dhe i zotëruar prej kompanisë britanike “BP”, asaj azere “SOCAR”, italianes “Snam”, belges “Fluxys”, spanjolles “Enagas”, si dhe zviceranes “Axpo”, transmeton Top Channel. 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button