Krujë, 18-vjeçari vret babain me çekiç për të shpëtuar nipin

Një 18-vjeçar ka vrarë me mjete të forta babain e tij, në tentativë për ta ndaluar atë, ndërsa ushtronte dhunë ndaj nënës dhe motrave të tij. Ngjarja e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e sotme në lagjen “Grumbullimi”, në fshatin Tapizë në Krujë.

Burime nga policia bëjnë të ditur se autori i ngjarjes është 18-vjeçari Ardit Krashi, ndërsa viktima është shtetasi Dali Krashi 64 vjeç. Sipas hetimeve paraprake, mësohet se atë e bir janë grindur, pasi 64-vjeçari kishte mbërritur në shtëpi në gjendje të dehur duke dhunuar të gjithë pjesëtarët e familjes.

Policia arrestoi menjëherë autorin e krimit, 18-vjeçarin Ardit Krashi, i cili tregoi të gjithë ngjarjen në komisariatin e policisë. I riu tha se nuk kishte patur si qëllim të vriste të atin, por kishte tentuar ta ndalonte, pasi ai po dhunonte nënën dhe motrat. 18-vjeçari deklaroi se i ati ishte i papunë dhe vinte gjithnjë i dehur në shtëpi, duke ushtruar dhunë sistematike ndaj të gjithë familjes.

“Babai erdhi i dehur në shtëpi, duke na rrahur. Nuk kisha qëllim ta vrisja, por të parandaloja. Babai filloi të rrihte mamanë dhe motrat. Ndërhyra për ta ndaluar dhe e godita në kokë. E nxora jashtë dhe më pas e lidha këmbë e duar. Se dija se kishte vdekur, doja të mos na rrihte sërish.”- rrëfeu i riu në polici.

Policia e Krujës bëri të ditur se pak përpara se të ndodhte ngjarja kishte marrë një telefonatë që sinjalizonte dhunë në një familje në Tapizë. Por kur efektivët e policisë kanë mbërritur në banesën e familjes Krashi e kanë gjetur 64-vjeçarin të vdekur dhe të lidhur këmbë e duar.

Familja Krashi me origjinë nga Dibra, jetonte prej më shumë se 10 vitesh në Tapizë të Krujës dhe ndihmesë e vetme për to, ishin të ardhurat nga djali i madh që jeton si emigrant në Londër. 

NGJARJA
Rreth orës 17:30 të ditës së djeshme 64-vjeçari Krashi është kthyer në shtëpi në gjendje të dehur. Sa ka hyrë në banesë, i moshuari ka rrahur pa shkak bashkëshorten e më pas tri vajzat e tij, dy të martuara, por që kishin ardhur me pushime tek prindërit dhe tjetrën të pamartuar. Ndërsa më pas kishte nisur të qëllonte edhe djalin vetëm, Arditin. Pasi djali i është shmangur, sipas policisë, 64-vjeçari ka marrë një thikë, duke ia vendosur në qafë njërit prej djemve të vajzave, duke kërcënuar se do e priste në qafë. Kjo ka bërë që e gjithë familja të niste ulërimat, ndërsa djali i tij ka gjetur në verandën e banesës një çekiç dhe ka qëlluar të atin në qafë. I frikësuar se babai do të hakmerrej, 18-vjeçari i ka lidhur këmbët e duart me litar, ndërsa ai ishte pa ndjenja dhe e ka lënë në fund të oborrit. Më tej, familjarët kanë njoftuar policinë për t’i treguar ngjarjen. 

POLICIA
Blutë e Komisariatit të Krujës kanë shkuar menjëherë në banesën e familjes Krashi në fshatin Tapizë dhe janë përpjekur të ndihmojnë 64-vjeçarin e lidhur me litar, por kanë konstatuar se ai kishte ndërruar jetë. Familjarët kanë rrëfyer gjithë ngjarjen me detaje, ndërsa djali i viktimës Ardit Krashi ka pranuar autorësinë dhe ka zgjatur duart para policëve, të cilët i kanë vënë prangat. Familjarët e viktimës, por edhe fqinj e banorë të zonës, kanë treguar se ky nuk ishte rasti i parë që Dalip Krashi vinte në banesë i dehur dhe dhunonte fëmijët dhe bashkëshorten pa shkak. Pavarësisht pohimeve të familjarëve, do të jetë ekspertiza mjeko-ligjore që do të verifikojë nëse 64-vjeçar kishte konsumuar alkool. (BalkanWeb)

Lajme të ngjashme

Back to top button