“Kumanova”, bashkimi i lëndëve zvarrit procesin
Bashkimi i lëndëve gjyqësore ndodh vetëm atëherë kur prokuroria posedon argumente dhe dëshmi të forta për lidhjen e tyre. Ish gjykatësi Sejfulla Osmani thotë në rastin e lagjes së trimave gjykata nuk duhet të vendosë për bashkimin e lëndëve për shkak se procedurat tashmë kanë ardhur gati në fund, transmeton Alsat-M.
Gjykata Themelore Shkupi ditë më parë vendosi që lënda për mbështetësit e grupit të Kumanovës të bashkohet me lëndën tjetër për të cilën 29 persona tashmë akuzohen për veprën terrorizëm. Për veprën e mbështetjes logjistike akuzohen tetë persona. Ndërkohë seanca e paralajmëruar për dje u anulua në mungesë të kushteve hapësinore.