Mustafa: Kosova e përkushtuar në rrugën e mëtejme integruese euroatlantike
Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, priti në takim përfaqësuesit e shteteve të Kuintit në Kosovë dhe shefin e Zyrës së BE-së /përfaqësues special i BE-së në Kosovë.
“Mustafa i falënderoi për përkrahjen e madhe që shtetet e tyre dhe institucionet e Bashkimit Evropian kanë dhënë për Kosovën, deri më tani.
Ai po ashtu, i njoftoi për progresin në Kosovë dhe për prioritetet e Qeverisë për zhvillim ekonomik dhe avancimin e proceseve eurointegruese”, thuhet në njoftimin e zyrës së kryeministrit.
Më tej, kryeministri Mustafa foli për rëndësinë e madhe që ka për Kosovën rekomandimi i Komisionit Evropian për liberalizimin e vizave dhe proceset e tjera pozitive siç ishte edhe pranimi i Kosovës në UEFA dhe hyrja në fuqi e MSA-së, muajin e kaluar.
Me këtë rast, kryeministri Mustafa ka kërkuar përkrahjen e mëtejme të vendeve të Kuintit dhe të institucioneve të BE-së për Kosovën.
Ambasadorët e vendeve të Kuintit dhe përfaqësuesi special i BE-së vlerësuan të arriturat si dhe shprehën përkrahje të mëtejme për Kosovën, transmeton Telegrafi.