Edhe një fitore pirike e Sandersit, Klinton ruan avantazhin

Që të fitojë nominimin, Sanders duhet të marrë 90% të votave të mbetura. I vetëdijshëm se kjo është e paarritshme, Sanders i ka varur të gjitha shpresat te superdelegatët

Vazhdojnë votimet në Nebraska dhe Virxhininë Perëndimore. Megjithëse është e qartë se gara për president në nëntor do të zhvillohet mes Hillari Klinton dhe Donald Tramp, në të dy partitë vazhdojnë votimet formale, që këtë të martë u mbajtën në Nebraska dhe Virxhininë Perëndimore. Matematikisht gara nuk ka përfunduar në asnjërën parti pasi as Klinton as Tramp akoma nuk kanë siguruar 50% të delegatëve që me automatizëm do të thotë fitore në konventë. Mirëpo mes dy garave ka një dallim substancial. Në anën republikane kampanjat i kanë suspenduar të gjithë kandidatët tjerë, duke pranuar Trampin si fitimtar. Ndërsa në anën demokrate Sanders vazhdon fushatën megjithëse ka gjasa minimale për fitore. Mu për atë votimet e djeshme patën ndonjë kuptim vetëm te demokratët, që votuan në Virxhininë Perëndimore.

Fitore e Sandersit në Virxhininë Perëndimore. Pas befasisë në Indiana, Sanders dje ka shënuar fitoren e rradhës në Virxhininë Perëndimore. Për demokratët ky shtet është ndër më ndëshkuesit. Ndryshe nga shtetet tjera ku në parti dominojnë tendencat liberale, demokratët e Virxhinisë Perëndimore përbëhen kryesisht nga klasa punëtore, sidomos nga punëtorët e varfër të industrisë së qymyrit. Mu për këtë ata nuk kanë shumë mirëkuptim për tema liberale si ambienti i pastër dhe zakonisht ndëshkojnë establishmentin demokrat. Madje në vitin 2012 kur nuk kishte kundërkandidat demokrat në nivel nacional, Obama ka fituar me rezultat të ngushtë 59%-41% ndaj një të burgosuri që kishte kandiduar vetëm në Virxhininë Perëndimore.

Terreni i këtillë është tejet i favorshëm për Sandersin dhe mesazhin e tij për luftë kundër pabarazisë ekonomike. Sanders ka fituar pa problem me rezultat 120.000 – 84.000 mijë, apo në përqindje 51%-36%. Rreth 30.000 vota kanë marrë kandidatë tjerë lokalë, njëlloj si i burgosuri Kith Xhad në vitin 2012.

Me këtë rezultat Sanders ka siguruar 16 delegatë, ndërsa Klinton 11 delegatë.

Shifrat momentale te demokratët. Megjithëse fitoi në Virxhininë Perëndimore, edhe kjo fitore e Sandersit duhet të konsiderohet pirike. Siç kemi thënë pas Indianës, atij i duhet të fitojë me shifra shumë më të thella për të ngushtuar epërsinë e Klintonit. Për momentin tabela duket kështu.

KlintonsHillary-Clinton SanderssBernie-Sanders
Vota 12.522.493 9.422.590
Vota % 57% 43%
Delegatë 1.716 1.430
Duhen për fitore 667 953

 

Në garë janë edhe 1065 delegatë. Pra Sandersit i duhet të fitojë me rezultat 90% – 10% në votimet e mbetura që të sigurojë nominimin që në rrethin e parë. Edhe vetë Sanders është i vetëdijshëm se kjo shifër është e paarritshme, prandaj argumenti i tij i vetëm për të vazhduar më tutje garën janë superdelegatët demokratë.

Superdelegatët. Përveç delegatëve të fituar në votime, në konventën demokrate votojnë edhe një numër superdelegatësh. Këta janë figura të larta partiake, zakonisht kongresmenë, senatorë e guvernatorë, që marrin pjesë me automatizëm në konventë. Speciale për këta superdelegatë është se mund të votojnë kë të duan dhe në rast garash të ngushta mund të jenë faktori kyç që përcakton fituesin. Kjo sidomos nëse asnjëri kandidat nuk arrin të sigurojë vetë shumicën, me delegatë të zgjedhur në votime.

Pikërisht këta superdelegatë janë shpresa e fundit e Sandersit. Ai shpreson se do të mund të kalojë Klintonin me delegatë të zgjedhur, e pastaj të bindë superdelegatët që të votojnë për të në konventë. Mirëpo kjo strategji duket tepër e pashpresë, pasi superdelegatët me të madhe mbështesin Klintonin. Ja tabela e delegatëve kur llogariten edhe superdelegatët:

KlintonsHillary-Clinton SanderssBernie-Sanders
Delegatë 1.716 1.430
Superdelegatë 523 39
Total 2239 1469
Duhen për fitore 144 914

 

Pra nëse llogarisim edhe superdelegatët, Klintonit i duhen vetëm edhe 14% të votave të mbetura. Sanders natyrisht shpreson se një pjesë e superdelegatëve të saj do të ndërrojnë mendje para konventës, por kjo duket më shumë si fije e fundit shprese se gjasë reale. Përderisa Klinton ka 3 milionë vota më tepër se Sandersi, vështirë se ndonjëri superdelegat do t’i bashkangjitet humbësit të sigurtë.

Në përgjithësi pra është tejet e paqartë pse Sanders vazhdon të qëndrojë në garë. Fitorja e Klintonit është mëse e sigurtë.

Votuan edhe republikanët. Megjithëse në anën republikane ka mbetur vetëm Tramp, votimet kanë vazhduar formalisht në Nebraska dhe Virxhininë Perëndimore. Kruz dhe Kasiç nuk kanë zhvilluar fushata, e megjithatë kanë qenë prezent në fletëvotime. Të dy shtetet normalisht i ka fituar Tramp. Në Nebraska ai ka marrë 61% të votave, ndërsa në Virxhini 77%.

Këto janë shifra shqetësuese për Trampin. Megjithëse ka mbetur i vetëm në garë, kandidatët tjerë kanë fituar 75.000 vota në Nebraska dhe 45.000 në Virxhini. Shifrat e këtilla tregojnë se një pjesë e madhe e partisë republikane akoma nuk është pajtuar me Trampin si lider të tyre. Nëse rezistenca e këtillë vazhdon dhe Tramp nuk arrin të bashkojë as partinë e tij, shtrohet pyetja çfarë gjasash për fitore ka ai në zgjedhjet e përgjithshme në nëntor.

Më tutje. Votimet vazhdojnë gjatë gjithë muajit të ardhshëm. Është më se e sigurtë se asnjëra garë nuk do të zgjidhet matematikisht deri në ditën e fundit, por problemet e partive janë të ndryshme. Te republikanët fitues i sigurtë është Tramp dhe në fazën e ardhshme ai duhet të tentojë të bashkojë gjithë partinë rreth vetes. Ndërsa te demokratët fushatat do të vazhdojnë përderisa në garë vazhdon të qëndrojë Sanders. Përparësia e demokratëve është se kandidatja e tyre është e pranueshme për gjithë partinë dhe ata nuk do të kenë problemin e përçarjes si republikanët. Por përderisa vazhdojnë fushatat brendapartiake, ata po humbin shumë kohë dhe resurse që do mund më me efekt t’i përdornin kundër republikanëve.

 

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button