Aksion i madh pastrimi për nder të “Ditës së Evropës”

Për herë të parë, disa nga akterët përgjegjës për mjedisin, do të bashkohen për të realizuar një aksion të madh pastrimi, i cili do të rezultojë me largimin e një deponie të madhe të mbeturinave në fshatin Bardhosh të Komunës së Prishtinës.

Banorët e këtij fshati tash e disa vite kanë ‘bashkëjetuar’ me një deponi të tillë, ku shpeshherë edhe i kanë djegur mbeturinat, duke shkaktuar ndotjen e ajrit.

Sot duke filluar nga ora 9:00 për nder të “Ditës së Evropës”, Iniciativa “Ta Pastrojmë Kosovën” në bashkëpunim me Komunën e Prishtinës, përkatësisht Drejtorinë e Shërbimeve Publike, me ndërmarrjen “Pastrimi” dhe Kompaninë për menaxhimin e mbeturinave në Kosovë (KMDK) do të largojnë një nga deponitë më të madhe të mbeturinave në kryeqytet, që gjendet në fshatin Bardhosh, pastrimi i së cilës do të bëhet me eskavator.

Ndërmarrja “Pastrimi” do të ndihmojë aksionin, duke ofruar makinerinë për largimin e mbeturinave, ndërsa KMDK, nuk do të faturojë largimin e mbeturinave nga deponitë ilegale, të cilat do të dërgohen nëpër vendet ku janë deponitë legale.

Iniciativa “Ta Pastrojmë Kosovën” u bënë thirrje banorëve të fshatit Bardhosh, që t’i bashkohen këtij aksioni, duke u mobilizuar bashkë me ne për largimin e asaj deponie.

Por, ky aktivitet nuk do të jetë i vetmi për nder të 9 Majit, “Ditës së Evropës”. Aksioni i radhës do të realizohet nga ora 11:00, ku vullnetarët e Iniciativës “Ta Pastrojmë Kosovën” në bashkëpunim me punëtorët e Muzeut të Kosovës, do të pastrojnë parkun e muzeut, në të cilin do të mbjellin pastaj drunj dekorativ, të njohur si “Paulownia”.

Aktivitetet për nder të 9 Majit, do të përmbyllen me pjesëmarrje në aktivitetin e organizuar nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, i cili do të mbahet në sheshin “Zahir Pajaziti”, nga ora 13:30.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button