Manipulim me fotografi, fotomontazh i vjetër për “lajm” të ri!

[Recension: Dhunohet gazetari Milenko Nedelkovski]

Gazetari duhet të ketë kujdes kur bën lajm! Fillimisht informacioni duhet konfirmuar dhe më pas të bëhet lajm. Asnjëherë nuk duhet luajtur në kartat e keqinterpretimit të qëllimshëm. Në këtë rast nuk kemi të bëjmë me tekst i cili nënvlerëson ose cenon integritetin e personit të përfolur, por manipulim me element multimedial, duke tentuar të plasojë një informacion që nuk dëshmon në asnjë rast atë që thotë teksti. Fotografia e vendosur në tekst është montazh dhe kjo shihet shumë qartë. Nuk duhet të jesh ekspert dhe vlerësues me përvojë për të dhënë konkluzionin se në fotografi është intervenuar. Bile, bëhet fjalë për fotomontazh të vjetër që ishte aktual pothuajse para një viti, që tani përmes këtij teksti na ‘riaktualizohet’ dhe shitet për lajm të ri.

Thelbi është në atë që thuhet se është dhunuar, ndërsa askund nuk gjendet një fotografi e vetme e cila dëshmon atë që thotë titulli. Kjo, pa prova adekuate, mund të bëjë përmbajtjen shpifëse dhe tendencioze. Madje, vështruar në aspektin profesional, ky artikull rrezikon edhe nxitje dhune.

Disa ditë pasi u rrahën keq truprojat e ish-shefit të DSK-ë Saso Mijalkov portali maqedonas Dokaza raporton se ditën e djeshme pasdite rreth orës 17 në kafenenë “Lezet” të Shkupit është rrahur edhe gazetari pro qeveritar Milenko Nedelkovski. Autorët që e kanë rrahur janë të njohur për portalin maqedonas.

Dhunohet gazetari Milenko Nedelkovski screenshotLinku deri te artikulli origjinal: “Dhunohet gazetari Milenko Nedelkovski”
Data dhe koha e publikimit: 21.04.2016
Data e recensionit: 21.04.2016
Recensues: Adrian Kerimi

Për të hequr dilemat nëse vërtetë është dhunuar një drejtues programesh kontravers si Milenko Nedellkovski ose edhe albanofob siç cilësohet në përmbajtje, gazetari nuk është dashur të raportojë me emocione, por të kërkojë qëndrim nga personi, i cili në këtë rast më shumë është viktimë gazetareske se sa viktimë e një sulmi fizik ose dhunimi. Më interesant për opinionin do të ishte motivi për rrahjen se sa rrahja. Mirëpo, autorit nuk i ka interesuar motivi, por veprimi. Kjo në fakt nuk është gazetari, pasi që gazetari është ai që shpalos të gjitha elementet në lajm dhe i mundëson lexuesit të vërtetën në versionin e bazuar në fakte dhe dëshmi relevante.

Gazetari Milenko Nedelkovski njihet për albanofinë e tij./Albeu.com/

Në tekst nuk vërehet as njëanshmëri, e as paanshmëri. Kjo për arsye se autori as nuk ka kërkuar qëndrim as nga ‘viktima’, e as nga organet përgjegjëse, të cilat do të konfirmonin ose demantonin informacionin. E logjikshme dhe profesionale do të ishte që qëndrim të ishte kërkuar nga vetë viktima dhe të dëgjohej versioni i tij për sulmin, nëse në të vërtetë i është bërë.

Kjo është çështja profesionale, ndërsa tjetër ajo etike. Gazetari duhet të ketë kujdes kur raporton, sidomos kur në pyetje është interesi publik. Çfarë nëse sulmi ndaj personit në fjalë nuk ka të bëjë me interesin publik, çfarë nëse arsyet janë gjitha private dhe intime? Andaj, informacioni para se të publikohet, përveç që duhet të kalojë filtrat e rregullave profesionale, duhet edhe t’i nënshtrohet testit të quajtur vlerësim i interesit publik.

 

 

Ky recension është përgatitur nga kuadër të Projektit të USAID-it për përforcimin e mediumeve në Maqedoni – Komponenta Shërbimi për verifikimin e fakteve nga mediumet, që implementohet nga fondacioni Metamorfozis.. Ky recension është mundësuar me përkrahjen e Agjencisë amerikane për zhvillim ndërkombëtar (USAID). Përmbajtja e analizës është përgjegjësi e autorit dhe nuk i paraqet qëndrimet e fondacionit Metamorfozis, USAID-it ose të qeverisë së SHBA-ve. Për më tepër informata për punën e USAID-it në Maqedoni, ju lutemi vizitoni ueb-faqen e USAID-it: (http://macedonia.usaid.gov) dhe faqen e USAID-it në Facebook: (www.facebook.com/USAIDMacedonia).

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button