Sipas Poposkit kontesti me emrin është pengesë e vetme për NATO

Ministri i Punëve të Jashtme i Maqedonisë, Nikolla Poposki gjatë takimit në Selanik u përgjigj në disa pyetje të gazetarëve bullgarë të cilët interesoheshin për punë të ndryshme, raporton MIA.

Siç lajmëroi korrespodenti i MIA-s nga Greqia, disa nga kolegët bullgarë treguan mosnjohuri elementare të pozitës së Maqedonisë në strukturat euroatlantike, ose edhe njëherë tentuan pa nevojë të provokojnë përgjigje që në fakt është fakt i njohur.

Edhe pse ministri Poposki në pyetjen nëse pret që në Samitin e Varshavës, Maqedonia të merë ftesë për anëtarësim në NATO, u përgjigj se mendon se është joreale që në këtë moment të bisedojë për ftesë, gazetari bullgar pyeti se prej kujt vijnë pengesat për anëtarësimin e vendit tonë në Aleancë.

“Nuk mundet të them nëse presim ose nuk presim (ftesë për anëtarësim në NATO) pasi është vendim i vendeve anëtare në NATO, dhe jo i Maqedonisë. Lidhur me NATO-n, ka vendim nga viti 2008 me të cilin është konstatuar qartas se pengesa e vetme për mosanëtarësimin e Maqedonisë në NATO është pala greke, dhe pastaj kemi në vitin 2011 vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë e cila thotë se ky vendim nuk është legal. Gjithçka që ndodh në ndërkohë ka të bëjë me vullnetin e vendeve anëtare të NATO-s dhe kjo ka të bëjë edhe me Samitin e Varshavës, por edhe me cilin do samit tjetër që mund të mbahet”, deklaroi Poposki dhe shtoi se në këtë moment nuk ka përshtypjen se ekziston gatishmëri nga pala greke që të ndodh hyrja e Maqedonisë në NATO në Samitin e Varshavës.

Lidhur me takimin me ministrin bullgar të Punëve të Jashtme, Daniel Mitov, Poposki tha se kanë biseduar, para se gjithash, rreth situatës së tanishme dhe rreziqet në korridoret aktuale të emigrantëve të cilat mund të ndryshojnë.

Ai informoi se kanë biseduar për atë se çfarë mund të bëhet si parandalim. Poposki përsëriti se të gjithë ministrat janë dakorduar se plani më i mirë në momentin është ai i BE-së dhe se mbyllja e rutës së Ballkanit duhet të shkojë paralel me readmisionin e emigrantëve nga Greqia të cilët nuk janë azilkërkues dhe relokacion, respektivisht distribuimi në vendet e tjera të BE-së të emigrantëve të cilët janë azilkërkues legjitim, ndërsa gjenden ende në Greqi.

Në pyetjen gazetareske se cilat masa mund të ndërmerren në rast të mosplotësimit të marrëveshjes mes BE-së dhe Turqisë, Poposki theksoi se “është një supozim shumë i rrezikshëm në këtë moment të themi se nuk do të funksionojë marrëveshja mes BE-së dhe Turqisë”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button