Atribuimi dhe prova e drejtpërdrejtë – mburoja më e mirë për gazetarin

[Recension: Ja huq kryetari Ivanov! Amneston një Fatime Fetai tjetër!]

Disa lajme janë pak më specifike se lajmet tjera. Kur bëhet fjalë për informacione që jepen për herë të parë, gazetari duhet të sigurohet se publiku nuk do ta keqkuptojë lajmin që publikohet.

[Recension: Ja huq kryetari Ivanov! Amneston një Fatime Fetai tjetër!]Linku për te artikulli origjinal: Ja huq kryetari Ivanov! Amneston një Fatime Fetai tjetër!

Data dhe koha e publikimit: 18.04.2016

Data e recensionit: 19.04.2016

Recensues: Agron Vrangalla

Duhet thënë se ky lajm është korrekt dhe nuk jep ndonjë dezinformatë. Në fakt, bëhet fjalë për një lajm që befas pushtoi të gjitha mediat online. Ishte pak e çuditshme dhe e papritur. Bëhet fjalë për një gabim të një presidenti të shtetit. Nëse ai ka gabuar dhe ka ngatërruar prokuroren Fetai me një Fatime tjetër, lëre që është gabim, por duket edhe shumë qesharake. Por kjo është një çështje tjetër që më tepër mund t’u interesojë personave që janë pjesë e kabinetit të presidentit, sepse fundja, nuk është gabim i presidentit si individ, por i presidentit si institucion. Ndërsa, për ne si gazetarë, çështja është se si të arrijmë që të jemi korrekt në raportimin e lajmeve të kësaj natyre.

Autori i këtij teksti i referohet një portali në gjuhën maqedonase (sakamdakazam.mk) ku lajmi që është botuar gjithashtu është i pakompletuar. Autori ka qenë i kujdesshëm dhe ka cituar portalin. Çështja është se portali në gjuhën maqedonase ka bërë një lëshim, që ka të bëjë me publikimin e letrës që prokurorja Fetai ia paska dërguar presidentit Ivanov për t’ia bërë me dije se ka falur një Fatime tjetër. Dhe, rrjedhimisht, edhe portali telegrafi.mk (por edhe portalet e tjera në gjuhën shqipe) e kanë vazhduar të njëjtën praktikë. Ka raste kur disa dokumente janë të paaksesueshëm për gazetarët apo nuk lejohet të publikohen për shkaqe sigurie. Në ato raste, është krejtësisht normale që gazetari vetëm të parafrazojë atë dokument. Mirëpo në këtë rast, letra e Fetait ishte publikuar nga një pjesë e madhe e mediave. Për të qenë akoma më profesionist dhe gjithëpërfshirës, duhet të kontaktohet vetë prokurorja në fjalë dhe të kërkohet se a është e vërtetë kjo letër që qarkullon nëpër media. Këtë konfirmim nga Fetai e bënë vetëm një pjesë e vogël e mediave. Të tjerat e botuan, pa hezitim. Mirë që kjo ishte e vërtetë, por po të bëhej fjalë për ndonjë spekulim, atëherë të gjitha mediat do të duhej të kërkonin falje edhe nga Fetai edhe nga Ivanov.

Rregulli numër 1 i Kodit të Etikës së Gazetarëve të Maqedonisë thotë:

“Gazetari ka të drejtë të qasjes së lirë deri te të gjitha burimet e informimit që janë me interes publik. Gazetari duhet të publikojë informata të sakta, të provuara dhe nuk do të fshehë të dhëna esenciale dhe nuk do të falsifikojë dokumenta. Nëse informata nuk mund të vërtetohet, ose bëhet fjalë për supozim, përkatësisht spekulim, kjo duhet të thuhet dhe të publikohet. Saktësia e informatës duhet të provohet sa më shumë të jetë e mundur..”

Në përgjithësi, ky lajm është korrekt, nuk manipulon, nuk dezinformon, nuk shton apo pakëson ndonjë të dhënë. Nëse do të publikohej edhe materiali, gjegjësisht letra dërguar presidentit Ivanov nga ana e prokurores Fetai, lajmi do të dukej edhe më bindës dhe më i kompletuar.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button