Obama: Largimi i Britanisë nga BE dëmton edhe SHBA’të

Presidenti amerikan, Barak Obama, ka deklaruar gjatë vizitës së tij në Londër, se Shtetet e Bashkuara kërkojnë që Britania e Madhe të qëndrojë brenda Bashkimit Europian.

Lideri amerikan u prit në Dovvning Street nga Kryeministri britanik David Cameron, me të cilin zhvilloi edhe bisedime përpara konferencës së mbajtur për mediat.

Palët diskutuan një sërë çështjesh me rëndësi përfshirë terrorizmin, krizën e Sirisë, etj.

Megjithatë, tema kryesore e bisedës ka qenë pikërisht referendumi i 23 qershorit prej të cilit do të varet edhe e ardhmja e Britanisë në lidhje me BE’në. Në konferencën e mbajtur për mediat, Obama vlerësoi miqësinë që sipas tij ekziston mes Shteteve të Bashkuara dhe Britanisë, teksa dha edhe mendimin e tij në lidhje me çështjen e ashtuquajtur ‘Brexit’.

“Më lini të jem i qartë në deklaratën time. Kjo është diçka që qytetarët britanikë duhet t’a vendosin për veten e tyre. Por, si pjesë e miqësisë që ekziston mes nesh, më duhet të jem edhe i sinqertë në lidhje me atë që mendoj. Dhe duke folur sinqerisht, pasojat që mund të vijnë nga ai vendim janë të lidhura drejtpërdrejt edhe me Shtetet e Bashkuara, pasi prej tij ndikohen perspektivat tona. Amerika kërkon një Britani të fuqishme si partnere, dhe Mbretëria e Bashkuara është në formën e saj më të mirë kur ndihmon në drejtimin e një Europë të fortë’, tha Obama, transmeton OraNews.

Në të njëjtën linjë qëndroi edhe kryeministri, David Cameron, i cili deklaroi se vendi i tij do të jetë më i fortë dhe më i sigurt brenda një Bashkimi Europian të reformuar.

Ai shtoi gjithashtu se qëndrimi brenda bllokut me 28 anëtarë do të ruajë edhe marrëdhënien e mirë që ka Britania me Shtetet e Bashkuara. Kreu i ekzekutivit britanik prej muajsh ka bërë thirrje që qytetarët të votojnë pro qëndrimit në BE.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button