Deklarata e Berishës për “armatosjen e popullit” shkakton reagime

Kuvendi i Shqipërisë është përfshirë nga debate të forta mes deputeteve të maxhorancës dhe opozitës, pas një deklarate të ish-kryeministrit të vendit, Sali Berisha nga foltorja e Kuvendit, ku ai u shpreh se iu kërkonte qytetarëve të armatoseshin për sigurinë e tyre, raporton Anadolu Agency (AA).

“Unë kam një kërkesë për shqiptarët sot. Ju bëj thirrje qytetarëve shqiptarë për sigurinë e tyre të armatosen, për të mbrojtur veten dhe pasuritë e tyre, sepse nuk kanë asnjë siguri”- u shpreh Berisha.

Pas fjalës së ish-kryeministrit Sali Berisha në Kuvend, ka reaguar menjëherë ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Saimir Tahiri, i cili ka theksuar se është vepër penale të bësh thirrje publike për armatosje dhe të bësh thirrje publike për dhunë ndaj institucioneve.

“Një ish-kryeministër, që bën thirrje për armatosje të popullit, unë besoj, jep shembullin më të mirë si ka qeverisur kur ka qenë në detyrë. Megjithatë unë shpresoj që Prokuroria të marrë masa dhe ta thërrasë për ndjekje penale këtë njeri që ka guxim, këtu nga salla e parlamentit, publikisht të bëjë thirrje që populli të armatoset. Kjo është thirrje e një epoke tjetër, të cilën shqiptarët e kanë lënë pas, në 23 qershor të vitit 2013. Kjo është thirrja e epokës tjetër që ka ndarë dy botë: të shkuarën e atyre që qeverisnin me armë për të mbajtur pushtetin, duke vrarë njerëz; dhe të ardhmen e kësaj qeverie që nuk njeh kërkënd mbi ligjin, pa asnjë dallim, qoftë politik, qoftë partiak, qoftë institucional, pasuror, racor, cilidoqoftë” – u shpreh Tahiri.

Ndërkohë Partia Socialiste e Shqipërisë ka dorëzuar në Byronë e Kuvendit kërkesën për përjashtim me 10 ditë të deputetit demokrat, Sali Berisha, për deklaratën që bëri në Kuvend.

Gjithashtu lidhur me këtë deklaratë, ka reaguar edhe nënkryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli, ku ka theksuar se Berisha po kërkonte që armatosja të rregullohet dhe realizohet me anë të një ligji.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button