PDK dhe AAK, humbëset më të mëdha

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) janë goditur më së shumti nga largimet e deputetëve në Kuvendin e Kosovës.

Këto dy subjekte politike i kanë nga tre deputetë më pak në legjislativ, krahas numrit të deputetëve që kanë fituar në zgjedhjet e qershorit 2014, shkruan “Zëri”.

Në anën tjetër, LDK-ja dhe “Vetëvendosja” kanë përfituar nga lëvizjet e deputetëve, përderisa “Nisma për Kosovën” dhe Lista “Srpska” kanë numër të njëjtë të ligjvënësve, aq sa kanë fituar në zgjedhje.

Partia e Ramush Haradinajt (AAK), nga 11 deputetë sa kishte fituar më 8 qershor 2014, sot numëron vetëm 8, pasi që Blerim Shala, Melihate Tërmkolli dhe së fundmi Donika Kadaj-Bujupi braktisën këtë subjekt politik. Vetë Donika Kadaj-Bujupi tha se ndërrimin e partisë e bëri për çështje parimore.

“Ajo çka po ndodh sot dhe ky vendim imi është vazhdim i plotë imi në Lëvizjen që nuk u tundua kurrë për pushtet. Në mes paqes dhe drejtësisë, unë kam zgjedhur drejtësinë”, tha ajo.

Përkundër kësaj, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës nuk e sheh si shqetësim largimin e deputetëve të saj.

Zëdhënësi i AAK-së, Muharrem Nitaj, i ka thënë “Zërit” se ndryshimet që po ndodhin në AAK flasin më shumë sesa largimet e deputetëve. “Një ditë pas largimit të Donikës, në AAK kanë aderuar 50 zonja të respektuara, shumica prej të cilave me shkollim superior. Për mua kjo flet më shumë sesa votat e Donikës që i paska pasur dikur. Secili njeri në këtë vend është i lirë të zgjedhë rrugën e vet”, ka thënë Nitaj.

Madje, sipas zëdhënësit të AAK-së, kjo parti lëre që nuk po dobësohet , mirëpo sot gëzon mbështetjen më të madhe që ka pasur ndonjëherë. “AAK-ja nuk ka qenë asnjëherë më e madhe dhe më e mbështetur se sot. Do të ketë kohë që secili veç e veç ta shohë mbështetjen që e ka dhe mbështetjen që do ta ketë AAK-ja”, ka përfunduar Nitaj.

Megjithatë nuk është vetëm Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës partia e cila ka humbur deputetët e saj.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button