#Protestoj

“Në ferr ekziston një vend i veçantë për ata që ruajtën neutralitetin në kohëra të krizës morale”, ka thënë Dante Aligieri. Nuk e di nëse do të përjetojmë kriza më të mëdha morale në të ardhmen, kjo do të varet nga të gjithë ne, do të varet nga ajo sa jemi në gjendje të durojmë, deri në cilin fund të humnerës jemi të gatshëm të arrijmë. Tani më me vite prekim fund pas fundi dhe gjithnjë themi “Ky ishte fundi”, por pastaj vërejmë që nuk paska qenë ashtu, që paska ende, që mund të fundosemi ende më thellë, deri në pafundësi. Një gjë është e qartë, fundi është aty ku ne të gjithë bashkërisht do të themi: “Jo! Mjaft ishte! Nuk do të lejojmë të vazhdoni të luani me ne! Kësaj radhë kjo nuk do t’ju kalojë!”. Pikërisht atëherë humnerës do t’i vijë fundi, ndërsa kur ai preket, ka vetëm një mundësi, të lëvizim në drejtim të kundërt, drejt sipërfaqes, dhe të shpëtojmë!

Protesta nuk është vetëm një e drejtë, protesta është obligim moral i secilit qytetar të përgjegjshëm, protesta është mënyrë në të cilën secili prej nesh tregon që nuk është indiferent kur ndodh një padrejtësi, që nuk toleron të trajtohet si qenie pa tru të cilës gjithçka mund ti bëhet. Të rralla janë pushtetet të cilat vetvetiu janë të drejta dhe të përgjegjshme, shumica prej tyre kanë nevojë që qytetarët herë pas here t’ua kujtojnë se pse janë aty ku janë.

Këto ditë protestoj në më shumë mënyra, protestoj duke folur, protestoj duke shkruar, protestoj në rrugë, bashkë me protestues të tjerë, qytetarë të këtij vendi. Protestoj si qytetare kundër një pushteti të korruptuar i cili në të gjitha mënyrat mundohet t’i ikë përgjegjësisë dhe të vazhdojë të korruptohet më tej. Protestoj si shqiptare, sepse ky pushtet e quajti popullin tim me emrat më të urryer, unë atë e dëgjova, ndaj nuk do të qëndroj duarkryq. Në fakt, shqiptarët historikisht lidhen me konceptin e protestave që mbahen mend sot e kësaj dite dhe nga të cilat ata zakonisht i vuajtën pasojat më të rënda. Protestoj si muslimane, sepse një ndër mësimet më të rendësishme të islamit është ky: kundërshtimi i një udhëheqësi të drejtë, të ndershëm, objektiv dhe transparent paraqet vepër të rëndë penale e cila dënohet ashpër, por, kundërshtimi i një udhëheqësi tiran dhe të korruptuar i cili sundon me mashtrime dhe shpërndan pabarazi dhe mosdurim mes qytetarëve nuk është vetëm një e drejtë, por është obligim i secilit (farz).

Protestoj kundër standardeve të shumëfishta që ky pushtet i imponoi. Nuk them standarde të dyfishta por të shumëfishta. Ky pushtet vepron në një mënyrë kur janë në pyetje pjesëtarët e partisë së “zgjedhur nga Zoti”, në tjetër mënyrë kur bëhet fjalë për “komunjarët”, në mënyrë të tretë kur flitet për “fisin indian”, në mënyrë të katërt kur bëhet fjalë për ata që “për veshi do i nxjerrin në votime”, në mënyrë të pestë kur flitet për “njerëzit” apo nuk di si ti quaj, e kështu me radhë.

Protestoj kundër drejtësisë selektive. Protestoj sepse liria e njërit paraqitet si më e vlefshme se liria e dikujt tjetër. Protestoj sepse prezumimi i pafajësisë vlen në një rast gjyqësor por nuk vlen në një tjetër. Protestoj sepse ata që e thyejnë ligjin bëjnë gjithçka për t’i ikur përgjegjësisë dhe tani për tani këtë e bëjnë me sukses. Protestoj kundër atyre që mendojnë se me forcën e tyre mund të bëjnë çudira, të bëjnë precedentë juridikë të cilët nuk njihen në asnjë shtet, dhe me këtë të kalojnë lehtësisht e të vazhdojnë më tej. Protestoj kundër atyre që mendojnë se do të shpëtojnë me një falje që nuk ekziston.

Protestoj, sepse disa vepra askush nuk mund t’i falë. Njëqind herë le të ndryshohet ligji në mënyrë joligjore, njëqind falje joligjore të jepen, sërish, asnjë qytetar i përgjegjshëm nuk do t’i falë këto vepra, dhe do të kërkojë përgjegjësi, ditë pas dite, deri në fund!

Protestoj, që të dihet se këto vepra nuk guxojnë kurrë më të ndodhin, dhe të njëjtat nuk do të tolerohen.

Protestoj, për të bërë të qarte se nga cila anë jam. Protestoj për të thënë që jam kundër padrejtësisë dhe korrupsionit, kundër atyre që duan të më trajtojnë si rob dhe të luajnë me lirinë time, ardhmërinë time dhe ardhmërinë e fëmijëve të mi.

“Kur padrejtësia bëhet ligj, rezistenca bëhet detyrim”, ka thënë Tomas Xheferson. Unë e përmbush detyrimin tim. Përmbusheni edhe ju!

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button