IVAN GROZNI

Ma merr mendja e njihni Ivan Groznin, mbretin rus të sh. XVI, sepse në atë zaman jemi, apo?

Sigurisht e dini dhe kuptimin se nofkës “grozni”, që në shqip dmth: i frikshëm, i tmerrshëm, i lemerishëm, i llahtarshëm, i luciferrshëm, i skëterrshëm, i mortshëm, i xhehenemshëm, i kijametshëm, i fundbotshëm…

Në kohën tonë, ky biçim mbreti, sipas të gjitha kanuneve të tokës e të qiellit, do të duhej të ishte banor rezident i Idrizovës, me vizë të vlefshme edhe për Bardofcë. Por: ai është mbret mbreti, ndaj na e kanë nanën serbes, turq-e-shkije bashkë.

Ivani paralajmëroi ardhjen në pushtet që kur ishte i mitur foshnje, kur akoma nuk ia priste radakja nga i bie Kurdistani… Megjithatë, pikërisht ky axhamillëk qe argumenti… që ia betonoi më pas karrigen e vëtërlashkët mbretërore në ishullin e malukatit, që në vend të kokës, mbi supe bart nga një copë bifteku.

Kuptohet, jo gjithkush e lodhi biftekun me pyetjen: është apo s’është për mbret Ivan Grozni, sepse edhe ashtu s’i pyeste kush. Kurorëzimi i tij qe vendim qarqesh të fuqishme shtetërore e klerikale, me aprovimin e papërfillshëm të gjynahëve të ceipit të qetësisë indiane.

Ivanit i duhej të mbretërojë nën hijen e Zeusit, kurse Grozni qeverisi si në burleskët e Çarli Çaplinit. Në këso konditash triniteti i tmerrit, frikës dhe lemerisë, i nisi reformat për rigjelbërimin e Saharasë, antikfizimin e aktualitetit gri dhe gjunjëzimin me pordhë të rruzullit tokësor.

Vit pas viti Ivanit iu rrit mendja. Tani më nuk e kuptonte fare katandisjen e gjithanshme që e bënte më qeshitin ndër mbretërit me padronë të dynjasë. Them kështu, sepse gjithë Ivanët kanë nga një Grozni mbi krye dhe nga një kope ivanëthish të vockël përfundi.

Megjithatë, truri i tij prej laraske të papersonalitet ishte aq i aftë të dyshojë në tradhëti të mëdha, veçmas në planet konspirative të botës për rrënimin e pushtetit hale. Pikërisht për këtë, në vitin 1565 Ivani, kërkoi nga parlamenti pushtet absolut prej diktatori dhe duma ia dha si kuçkë, me kusht që ta shpenzojë për t’shpëlarë bythën e Groznit.

Më tej, parashikoi Nostradamusi, situata do të kreshpërohet. Oborri i Ivan Groznit do t’i shpallë luftë çdo kundërshtari potencial, çdo pipëtime opozitare, çdo shushuritjeje antipushtetare… Ai  është  i gatshëm të shkrumojë gjithçka dhe gjithkë që pretendon përmbysjen e sefasë mbretërore.

Shi për këtë, brenda pallatit të ëndrrave nuk mbeti asnjë oponent avdeshanesh. E gjithë suita përbëhet nga qenie që, siç thuhet: sy kanë e nuk shohin, gojë kanë e nuk flasin. Hiq Ivanin e Groznin, gjithë eunukë të pakokë janë, qenie mikroskopike dhe hajvanë gjigantë. Ndryshe, do të gjendej dikush që do ta perceptonte havanë esëll dhe do ta guxonte t’ia tërhjekë vërejtjen Kurdistanit se, duke qenë krijesë më e vogël se kaka e tij, nuk ka asnjë gjasë në betejën me dinozaurët, që ia mbajnë frymën me infuzione napolonash, të bërë rrush e kumbulla zoo-kopshteve të bronxta të kurgjësë.

Pjesa më e pabesueshme e historisë së Ivanit është fundi i tij, sakrifikimi i pashembullt për Groznin kokëmushkë, i cili qe betuar se nuk do të ngordhë pa e ngordhur më parë mbretërinë e tij xhuxhe.

Por, ta mbyllim me Kurdistanin (ky është atdheu i lashtë i Ivanit), i cili në një zënkë banale të jetës së tij banale në oborrit e tij banal mbretëror, goditi për vdekje të birin me shkop, kurse, pak ditë më vonë, vrau dhe veten duke i mëshuar me kokë arkivolit të të birit.

Ç’vdekje historike për t’u mbajtur mend nga breznitë! Si puna e egërsirës, që, para se të cofë me ka krejt, e shkatërron strofullën vet.

Kini kujdes!

 

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button