Obama: ISIS-i po tkurret në Siri dhe Irak

Presidenti amerikan Barack Obama tha se organizata terroriste ISIS gjatë muajve të fundit tashmë ka filluar të zbrapset. “Aktualisht kundër ISIS-it kemi arritur një përparësi dhe këtë dëshirojmë ta vazhdojmë”, ka thënë Obama, raporton Anadolu Agency (AA).

Obama i cili gjatë mandatit të tij tetë vjeçar si president ka vizituar për herë të tretë Agjencinë Qendrore të Inteligjencës (CIA) me zyrtarët më të lartë të shërbimeve inteligjente diskutoi mbi aktivitetet në muajt e fundit të koalicionit ndërkombëtarë kundër organizatës terroriste ISIS.

Pas diskutimit dy orësh me zyrtarët më të lartë të shërbimeve inteligjente të vendit, Obama në fund të takimit dha vlerësime për situatën e fundit të arritur në lidhje me luftën kundër ISIS-it.

Duke përdorur shprehjen “Sot tashmë ISIS në Siri dhe Irak ndodhet në pozicionin e mbrojtjes, ndërsa koalicioni ynë me 66 anëtarë në pozicionin e sulmit” Obama theksoi se aktet jo morale të ISIS-it kanë formuar bazën e krijimit të një fronti kundërshtar në të gjithë botën.

Presidenti amerikan potencoi se organizata në muajt e fundit ndodhet në një proces të tërheqjes.

“Aktualisht kundër ISIS-it kemi arritur një përparësi dhe këtë dëshirojmë ta vazhdojmë. Baza kryesore e ISIS-it në Irak dhe Siri vazhdon të zvogëlohet dhe numri i militantëve të organizatës ka shënuar nivelin më të ulët në dy vitet e fundit”, deklaroi Obama.

Ai tha se do të vazhdojnë aktivitetet për përfundimin e luftës civile në Siri me rrugë diplomatike, sepse lufta formon bazën për rritjen e ISIS-it. Sipas tij, regjimi i Asadit po vazhdon me sulmet e tij.

Obama javën e ardhshme do të zhvillojë një vizitë në Arabinë Saudite ku krahas luftës kundër ISIS-it do të diskutojë kryesisht edhe për zhvillimet në kuadër të procesit të tranzicionit politik në Siri.

Në takimin e CIA-s krahas Zëvendës/presidentit Joe Biden, Sekretarit të Shtetit John Kerry dhe këshilltares për Sigurinë Kombëtare Susan Rice mori pjesë me anë të video- konferencës edhe Sekretari i Mbrojtjes Ashton Carter i cili ndodhet për vizitë në Azi.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button