BDI nuk ia dha tokën e premtuar BFI-së

BFI mbetet pa truallin e premtuar në Kala për ndërtimin e rezidencës së saj. Edhe krahas premtimeve nga zv/ministri i transportit Xhelal Bajrami, siç mëson ALSAT M BFI-së as që i është lejuar të merr pjesë ne ankandin e shpallur nga Ministria e Transportit.  

Pikërisht toka në Kala ka qenë tema kryesore e takimit të dy muajve më parë mes zv/ministrit Xhelal Bajrami dhe kreut të BFI-së Sulejman Rexhepi. Zv/ministrit Bajrami shpejtoi të deklarojë para mediave se puna me tokën në Kala është e kryer. 

“Gjatë këtij takimi pata rastin dhe nderin ta njoftoj kryetarin e BFI-së se ministria e transportit dhe lidhjeve para dy tre ditësh shpalli thirrjen publike për tjetërsimin e tokës ndërtimore në afërsi të kalasë së qytetit të Shkupit dhe ne shpresojmë që BFI-ja të përgatis dokumentacionin e nevojshëm për blerjen e kësaj toke ndërtimore në afërsi të Kalasë së qytetit të Shkupit, tokë ndërtimore ku në të ardhmen dhasht Zoti do të ndërtohet selia e re e BFI-së”, kishte deklaruar Xhelal Bajrami, zv ministër i transportit dhe lidhjeve (22.10.2013).

 “E din opinioni i gjerë se shpesh herë jemi prononcuar, e kemi pas një kërkesë imediate që selia apo të ndërtohet një qendër thjeshtë islamike në Kala të Shkupit ku atje do të ketë shumë objekte, ndër ta do të jetë edhe kryesia, Rijaseti i BFI-së në Maqedoni”, pati deklaruar Sulejman Rexhepi, kryetar i BFI-së (22.10.2013). 

Ende nuk dihet blerësi i kësaj parcele, por mjafton që kërkesa shumëvjeçare e BFI-së që të tjetërsojë këtë truall ka dështuar.  Ndryshe në opinion më herët spekulohej se toka në Kala BFI-së mund ti ndahet si kompensim për heqjen dorë nga kërkesa për nderimin e Burmali Xhamisë në sheshin e Shkupit. Nga ana tjetër, derisa Bashkësia Islame po has në vështirësi si në denacionalizimin e vakëfeve të shndërruara në pronë shtetërore, ashtu edhe në blerjen e tokave në lokacione atraktive, vazhdon të ndahet tokë shtetërore për ndërtimin objekte fetare për bashkësitë e tjera fetare. Edhe gurthemeli i kryqit gjigant në Komunën e Aerodromit u vu në  tokë shtetërore./ Alsat – M

Lajme të ngjashme

Back to top button