Integrimi në BE i Ballkanit Perëndimor stabilizon rajonin

Ministrja për Dialog e Republikës së Kosovës, Edita Tahiri mori pjesë në Samitin Ekonomik Euroaziatik me temën “Dialog për rrugën e mëndafshtë”, ku pjesëmarrës ishin liderë të vendeve të ndryshme nga dy kontinentet.

Kjo konferencë u organizua nga Fondacioni prestigjioz i Turqisë Marmara Group, prej 5 deri më 7 prill 2016 në Stamboll. Merrnin pjesë personalitete nga shumë vende të botës e rajonit.

Sipas njoftimit për medie nga kjo ministri, ministrja Edita Tahiri theksoi se ky samit euroaziatik ofron një mundësi të mirë për të diskutuar se si mund të punojmë së bashku për një ardhmëri më të mirë ekonomike, të sigurisë, duke luftuar së bashku terrorizmin ndërkombëtar dhe gjetur zgjidhje për çështjen e refugjateve dhe sfida të tjera të kohës së sotme.

Ajo tha se integrimi sa më i shpejtë i vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian krijon stabilitet në rajon dhe i mundëson rajonit të përballojë sfidat që i kemi të përbashkëta. Ajo po ashtu theksoi rëndësinë e bashkëpunimit mes BE-së dhe Turqisë dhe vendeve tjera në angazhimet për gjetjen e zgjidhjeve paqësore për krizën në lindjen e mesme.

Ministrja Tahiri në fjalën e saj potencoi rëndësinë e përfshirjesh së grave në proceset paqësore, duke thënë se kapacitetet tona do të rriteshin për pesëdhjetë për qind sikur të kemi vendosmëri të heqim barrierat për fuqizimin e grave. Na duhet një filozofi e re që e sheh shoqërinë në mënyrë gjithëpërfshirëse të grave dhe burrave, një shoqëri të mirëfilltë demokratike.

Na duhet kapitali njerëzor i tërësishëm andaj nuk guxojmë t’i injorojmë gratë dhe fuqinë e tyre. Gratë janë një kapital njerëzor strategjik dhe shekulli në të cilin jemi kërkon që këtë kapital ta investojmë për zhvillim dhe demokratizim të shteteve dhe shoqërive tona.

Gjatë punimeve të Samitit, ministrja Tahiri e shoqëruar nga këshilltari i saj, Dren Zeka, zhvilluan takime dhe bashkëbisedime me pjesëmarrës të konferencës ku theksi i bisedave u fokusua në njohjen e shtetit të Kosovës dhe thellimin e marrëdhënieve me vende të ndryshme.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button