ISIS, Pentagoni mund të dërgojë të tjera trupa speciale në Siri

Pentagoni po vlerëson mundësinë e dërgimit të trupave të tjera speciale në Siri, për t’iu bashkuar reparteve të “Delta Force” në terren, transmeton Top Channel.

Janë me dhjetëra komando të angazhuar në luftën kundër Shtetit Islamik në vendin e munduar prej konfliktit të përgjakshëm 5-vjeçar. Funksionarë të Departamentit amerikan të Mbrojtjes e lanë të hapur këtë si mundësi, pa sqaruar sidoqoftë sesa do të jetë numri i saktë i përforcimeve.

Përgjatë 24 orëve të fundit, armëpushimi në Siri llogaritet të jetë shkelur të paktën 7 herë, sipas Qendrës ruse për Pajtimin e palëve kundërshtare. Kreu i saj, Serghei Kuralenko pretendon se, gjatë javës së fundit janë vrarë rreth 12 civilë në zonën e Aleppos, ndërsa 21 të tjerë kanë mbetur të plagosur.

Forcat e Damaskut, ndërkohë, që rimorën kontrollin e qytetit antik të Palmirës, përvijojnë një tablo të re të situatës, e bëjnë me dije se militantët e ISIS-it, gjatë tërheqjes, kanë lënë pas me mijëra mina të vendosura në mënyre të tillë, që të shpërthenin njëkohësisht me mbërritjen e ushtrisë siriane.

Rrugët kryesore dhe ato periferike, sipas një zyrtari të cituar nga “Reuters”, janë të mbushura me eksplozivë që peshojnë deri në 50 kg. Mbi 3.000 mekanizma shpërthyes janë hedhur në erë deri tani, në mënyrë të kontrolluar. Megjithatë, zyrtari nuk shpjegoi përse minat nuk shpërthyen, ashtu siç e kishte parashikuar grupi xhihadist.

Ndërkohë në Irak mësohet se, avancimin e forcave të Bagdadit ndaj ISIS-it po e ngadalësojnë civilët e bllokuar në zonat e kontrolluara prej grupit të dhunshëm islamik.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button