Debati moralesk si antitezë e debatit proshqiptar

Megjithëse brenda meje në këto momente po zhvillohet një betejë e madhe se a të shkruaj apo të mos shkruaj për skandalin, apo më mirë për bombën e fundit që u publikua dhe që kishte në shënjestër zyrtarët shqiptarë, vendosa të mos hyj në debate etike dhe morale, sepse të gjithë jemi mëkatarë dhe përvec Zotit s’ka të drejtë askush tjetër të na gjykojë, pale as ata intelektualë që sot më shiten si moralistë të kulluar. Pastaj turpi i takon të turpëruarit, prandaj po e lë me kaq. Ajo që dua të bëj është ta shqyrtoj këtë temë nga tangentat e mendimit, ashtu sic besoj kanë bërë shumë intelektualë të tjerë. Dua të bisedojmë lidhur me pasojat, por jo për pasojat mbi ata persona që janë drejtpërsëdrejti të involvuar apo më mirë të bërë pre dhe gjah e këtyre lojërave të spiunazhit, por mbi pasojat kolektive. Zhan Zhak Rusoja definon intelektualin si atë që mendon për pasojat e shpikjeve dhe veprimeve të veta. Pra në rastin konkret të një bisede telefonike të incizuar me dy zyrtarëve politikë shqiptarë, nuk ka të bëjë fare nëse ka patur apo jo akt, nëse ka qenë apo jo i moralshëm akti që është pjesë e kësaj bombe. Si intelektualë ne duhet të mendojmë për pasojat e veprimeve dhe komenteve tona sot në atë cka luhet prapa skenave. Duhet të kuptojmë që shënjestër e bombës nuk janë ata dy individë, por jemi ne shqiptarët. Pse e them këtë?

Pas gjithë kësaj katrahure sociale dhe psikologjike që na ka zhveshur nga dëshira për të jetuar në këtë shtet, apo për të menduar në rrugëdaljen më të mirë për këtë shtet, një gjë është e sigurtë – që i vetmi institucion që është institucionalizuar te ne është spiunazhi. Ne jemi bërë pre e një loje të fëlliqur të aktorëve të skenës politike në vend, të cilët, më falni në shprehje – dhe në vazhdë të bisedës tonë morale rreth seksit, luajnë koçet me ne, tallen me jetën e individëve, me tendencën që të luajnë me fatin e popujve – kryesisht popullit shqiptar. Dhe fakti më i madh për këtë është që lufta politike bëhet nga fuqi të errëta të spiunazhit, që kanë regjistruar, grabitur dhe po keqpërdorin me bisedat private të njerëzve. Janë ato biseda që nga njëra apo nga tjetra palë janë regjistruar, arhivuar dhe përpunuar me qëllim që të fusin në grackë oponentët politikë duke i shantazhuar dhe duke iu blerë si moralin, ashtu edhe votën. E keqja më e madhe në këtë mjedis është që forca të caktuara politike po marrin në dorë, apo më mirë po blejnë këto materiale spiunazhi me qëllim të përfitimeve të menjëhershme politike në formë të votave apo rejtingut. Skam asgjë kundër demaskimit të të keqes, por kjo duhet bërë në një formë më adekuate për një shoqëri që sidoqoftë ka për synim demokratizimin e shtetit.

Bëjmë mirë që si shqiptarë të bëhemi njëherë intelektualë në bazë të përkufizimit të Zhan Zhak Rusosë dhe të kuptojmë sot që loja politike e cila po zhvillohet mes dy partive maqedonase të etura për pushtet, kryekëput ka nën shënjestër integritetin dhe mirëqenien e shqiptarëve. Jo më kot bomba e fundit na godet aty ku nuk na goditën bombat e mëpërparshme, që ishin akoma më denigruese dhe shkatërruese për ne si komb e që flitnin për zhvlerësimin e identitetit tonë duke na krahasuar me indianë të egër. Ata po mundohen të prekin moralin e shqiptarëve, sikur e dijnë që e kemi pikë të dobët dhe që shtytja që duhet të na jepet neve për të fituar inercion e për të rrëzuar pushtetin është pikërisht seksi dhe morali. Sepse këta politikanë maqedonas e testuan integritetin kombëtar shqiptar me lëvizje paraprake politike, dhe e panë që nuk kanë arritur efektin e dëshiruar. Të kujtohemi pak në bombat paraprake në të cilat duket qartë që mendja e prishur e politikanëve ka targetuar shqiptarin për ta shkatërruar dhe për ta nënvlerësuar në të gjitha aspektet. Të kujtohemi pak në nënvlerësimin që i është bërë popullit shqiptar, duke mos ia pranuar gjuhën, duke mos ia pranuar të drejtën për të institucionalizuar barabarësinë etnike, duke mos ia mundësuar kushtet e barabarta për të bërë biznes, por mbi të gjitha duke krijuar një skemë të tillë piramidale të korrupsionit material dhe ideologjik që vështirë se mund të haset në suaza ndërkombëtare; të gjitha këto kombinuar sëbashku na kanë shtrirë përtokë si komb dhe na kanë induktuar një gjendje si kome.

Të habit fakti që sot është ngritur më shumë zhurmë për një cështje seksi, sesa për të gjitha shqelmat me të cilat janë goditur shqiptarët në këto 25 vitet e fundit. Më vjen keq që lëvizje apo edhe parti politike, duke u thirrur në gjoja moralitetin e tyre të palëkundur, bombën e fundit po mundohen ta keqpërdorin duke harruar që më i rëndësishmi në këtë mes nuk është kolltuku i pushtetit, por e mira e përgjithshme shqiptare. Dualiteti moral i tyre është i frikshëm dhe të bën të mendosh dy herë se a e meriton ndonjë parti apo lëvizje politike votën tënde në zgjedhjet e ardhshme, kurdo që ato do të mbahen. Sepse ata që e fitojnë pushtetin me skandale, është e pritshme që në të njejtën mënyrë edhe ta mbajnë. Duke nxitur debatin moralesk mes nesh, bëjnë që të harrojmë cështjet e rëndësishme që kanë të bëjnë me mirëqenien tonë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button