Obama në Kubë, Fidel Castro thyen heshtjen

Fidel Castro ka thyer heshtjen mbi vizitën e Presidentit amerikan Barack Obama në Kubë, në një letër të publikuar nga e përditshmja shtetërore “Granma”, njofton TCH.

Fideli, që i ka dorëzuar pushtetin vëllait të tij një dekadë më parë, tha se Kuba nuk ka nevojë për dhurata nga ajo që e quan “Perandoria”. Ai i cilësoi fjalët pajtuese të Obamës si një shurup dhe paralajmëroi se mund t’i shkaktonin kubanëve ndonjë infarkt kardiak.

Obama tha gjatë vizitës së tij se kish ardhur koha për të varrosur edhe mbeturinat e fundit të Luftës së Ftohtë në kontinentet amerikane.

Ndërkohë, në letrën e tij, Fideli po ashtu i kujtonte lexuesve historinë e Gjirit të Derrave, në vitin 1961, në të cilën një forcë paraushtarake azilantësh kubanë, e mbështetur nga CIA, u përpoq të shtinte në dorë ishullin.

Sidoqoftë, ish-lideri 89-vjeçar, dha edhe sugjerimin e tij modest, se Obama po reflekton dhe nuk po përpiqet të krijojë teori për politikën kubane.

Gjatë vizitës së tij, Obama foli për një të ardhme shprese për Kubën, në një fjalim të paprecedent “live” në televizion. Ai i tha Presidentit kuban, Raul Castro, se nuk duhej të kishte frikë nga ndonjë kërcënim që vinte nga Amerika dhe as nga zëri i popullit kuban.

Vizita e Obamës në Kubë, ishte e para e një presidenti amerikan në ishull që nga revolucioni komunist në vitin 1959.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button