Pashkët në Meksikë, digjet maskota e Trump

Marshimi i Donald Trump drejt nominimit republikan për Presidencialet e nëntorit të këtij viti në Shtetet e Bashkuara ka frikësuar shumëkënd, përfshi edhe vet “të vjetrit” e partisë së tij, aq sa “The Economist Intelligence Unit” e konsideroi vetëm pak ditë më parë si “një ndër 10 kërcënimet më të mëdha botërore”, transmeton Top Channel.

Mirëpo, meksikanët kanë zgjedhur një metodë të veçantë për të shprehur irritimin e tyre ndaj manjatit të pasurive të paluajtshme, pikëpamjet antiemigracion të të cilit kanë shkaktuar pakënaqësira në kufirin jugor amerikan. Pikërisht në mbrëmjen e së shtunës, teksa festonin ringjalljen e Krishtit, meksikanët kanë djegur shëmbëlltyrën e Trump gjatë ritualit të përvitshëm të Pashkëve.

Në lagjen e varfër të Meksiko Sitit, La Merced, qindra rezidentë brohorisnin fjalën “vdekje” dhe ofendime të ndryshme, teksa shihnin kukullën me portretin e miliarderit të digjej. Një manekin i veshur me një xhaketë sportive blu, me kravatë të kuqe dhe flokët e dendura të verdha karakteristike të tij.

Media vendase raporton se portrete të ngjashme janë djegur thuajse në të gjitha qytetet e Meksikës, nga Puebla e deri te kryeqendra industriale e vendit, Monterrey.

Djegia është pjesë e një tradite të përhapur gjerësisht të asaj që quhet “Java e shenjtë meksikane”, gjatë së cilës banorët u vënë flakën maskotave që përfaqësojnë Judën Iskariot, i cili tradhtoi Jezu Krishtin sipas Biblës. Maskotat zakonisht modelohen sipas figurave politike më pak popullore në vend.

“Që kur nisi fushatën dhe filloi të fliste në lidhje me emigrantët, Meksikën dhe meksikanët, më shkoi në mendje ta shfrytëzoja këtë individ”, tha Felipe Linares, mjeshtri i artizanatit që krijoi maskotën e Trumpit, ndërsa familja e të cilit krijon maskota të ngjashme prej më shumë se 50 vitesh.

Trump, edhe pse deri më tani pretendent për t’u nominuar nga krahu i republikanëve për Presidencialet e 8 nëntorit, ka shkaktuar irritim në Meksikë me angazhimet e tij në fushatë se do të ndërtojë një mur përgjatë kufirit jugor të Shteteve të Bashkuara, në mënyrë që të mbajë emigrantët ilegalë dhe trafikun e drogës jashtë vendit të tij, si dhe do të detyrojë Meksikën të paguajë për atë.

Presidenti meksikan, Enrique Pena Nieto i është kundërpërgjigjur Trumpit, duke thënë se vendi i tij nuk do të paguajë asnjë qindarkë për atë mur, ndërkohë që e ka krahasuar “tonin e ashpër” të manjatit amerikan me aksentin e diktatorëve Adolf Hitler dhe Benito Mussolini.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button