Aeroporti i Brukselit do qëndrojë i mbyllur; Obama: Jo damkosjes së myslimanëve

Aeroporti i Ndërkombëtar i Brukselit do të qëndrojë i mbyllur deri të martën, konfirmuan autoritetet belge. Zaventemi u mbyll menjëherë pas sulmeve që i morën jeten 11 personave aty e u pasuan një orë më vonë nga shpërthimi në metro, ku vdiqën 20 njerëz të tjerë, transmeton Top Channel.

Të tjera detaje kanë dalë në dritë në lidhje me ngjarjen tronditëse, ku tashmë mësohet të jenë përfshirë shtetas të 40 vendeve të ndryshme.

Mes të vdekurve të konfirmuar janë 3 holandezë, dy nga të cilët kishin edhe nënshtetësinë amerikane; një britanik, David Dixon; një gjerman, një italian, një kinez dhe viktima e parë e identifikuar që në fillim, 37-vjeçarja nga Peruja, Adelma Tapia Ruiz.

Ndërkohë, në fjalimin e tij të përjavshëm, presidenti amerikan Barack Obama kujtoi ata që vdiqën në aktet e dhunës, por kërkoi që për episodet e marra përsipër nga Shteti Islamik të mos stigmatizohen të gjithë myslimanët, me argumentin se kjo do të çonte “ujë në mullirin” e terroristëve.

“Myslimanët e Amerikës kanë dhënë një kontribut të vyer në shoqërinë tonë. Ne duhet të refuzojmë pa hezitim çdo përpjekje për stigmatizimin e tyre. Tentativa të tilla bien ndesh me karakterin tonë, me vlerat tona, me historinë tonë si komb i ndërtuar mbi idenë e lirisë fetare”, deklaroi Obama.

Prokurorët belgë njoftuan më herët se ndaj njërit prej të arrestuarve, i identifikuar si Fayçal C. është ngritur zyrtarisht akuza për terrorizëm, por BBC citon disa raporte në mediat belge të pohojnë se mund të bëhet fjalë pikërisht për atentatorin e tretë të aeroportit, që thuhet të jetë gazetari freelance Faycal Chheffou.

Ndërkohë, këngëtarja e njohur amerikane Mariah Carey e anulloi koncertin e saj të parashikuar të mbahej në Bruksel të djelën, duke përmendur për këtë vendim shqetësimet e sigurisë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button