‘1001 problemet SHBA-Iran’; Uashingtoni derdh 1.7 mld dollarë për Teheranin

Programi bërthamor i Teheranit ishte kulmimi i një krize të thellë diplomatike mes dy vendeve, që po përpiqen të shkrijnë akujt pas marrëveshjes së nënshkruar në lidhje me këtë program dhe sanksionet e vendosura ndaj Republikës Islamike, njofton TCH.

Por në tryezën e bisedimeve mes dy palëve ka një mal me dosje. Zyrtarët amerikanë thonë se janë rreth 1 mijë padi ose dosje me pretendime të palës iraniane ndaj Uashingtonit, duke nisur që pas revolucionit të vitit 1979, kur pushtetin e morën ajatollahët.

Njëra prej këtyre kontesteve kishte të bënte me një marrëveshje armësh të nënshkruara në kohën e Shahut, e që nuk u zbatua më pas nga Shtetet e Bashkuara. Sipas kësaj marrëveshjeje, Uashingtoni do të furnizonte me armë iranianët kundrejt pagesës prej këtyre të fundit.

Mosrespektimi i kësaj kontrate ka çuar në derdhjen e arkave të Republikës Islamike të shumës prej 1.7 miliardë dollarësh nga ana e Uashingtonit. Zbulimi e ka bërë “Ëashington Free Beacon”, që thotë se ka në zotërim dokumentacionin që vërteton këto transaksione.

Kalimi i kësaj shume u bë pas ujdisë që pasoi bisedimet sekrete dyvjeçare mes dy vendeve. Departamenti i Shtetit konfirmoi këtë duke deklaruar se “ishte i sigurtë se ujdia ishte e duhura për taksapaguesit amerikanë”.

Në këmbim të kësaj pagese, “Uashington Free Beacon” thotë se Irani liroi pesë shtetas amerikanë në muajin janar. Palët nuk pohojnë lidhjet mes dy eventeve.

Bisedimet sekrete mes Uashingtonit dhe Teheranit nisën në qershor të vitit 2014, vazhduan përgjatë 2015 dhe besohet se vazhdojnë ende për të trajtuar “1001 problemet” mes dy vendeve. Megjithatë, përfitimi më i madh i Iranit vlerësohet marrëveshja për programin e tij bërthamor, me anë të së cilës, Shtetet e Bashkuara zhbllokuan 150 miliardë dollarë asete të ngrira iraniane.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button