Të lindësh për dikë fëmijën e porositur!

Procesi i  mbajtjes dhe lindjes së fëmijës për tjetrin, në bazë të një marrëveshje paraprake nga të dy palët: gruas mbajtëse/ nëna surrogate dhe prindërve juridik/ çifti porositës njihet si surrogacion. Kjo mënyrë e përfitimit të të drejtës prindërore me materiale gjenetike të çiftit porositës (në raste ideale) juridikisht në mënyrë të detajuar është e rregulluar me norma juridike, mirëpo ka hapur diskutime të shumta në shkencën juridike-familjare, biomedicinale, etikën, dhe fushën që merret me çështjen e menaxhimit ekzistencial të identitetit të qenies njerëzore.

Instituti i amësisë surrogate, është një risi në shkencën juridike familjare dhe atë biomedicinale në Republikën e Maqedonisë. Amësia surrogate, si një nga mundësitë biomedicinale për  zgjidhjen e problemit të inferilitetit të një çifti,  ka qenë e ndaluar me Ligjin për mbarësim të ndihmuar biomedicinal të vitit 2008, mirëpo në Tetor të vitit 2014, Kuvendi i RM-së miraton ‘Ligjin për ndryshime dhe plotësime të ligjit për mbarësim të ndihmuar biomedicinal’. Me anë të këtij ligji ofrohet një zgjidhje juridike për fitimin e të drejtës prindërore për të gjithë ata çifte të cilët në mënyrë natyrore nuk munden të kenë fëmijë.

E bashkëjetojmë periudhën e një zhvillimit të hovshëm të shkencës e cila sfidon progresin e njerëzimit me mënyrat më inovative të teknologjiës. Vlerave njerëzore të cilat ndryshojnë në hap me këtë progres, u janë vënë shumë dilema juridike, morale dhe etike të cilat presin përgjigje nga shkenca që merret me vet qenien njerëzore. Në një situatë të tillë jemi kur diskutojmë për shumë progrese në shkencën juridike-familjare bashkëkohore, përfshirë këtu edhe format e reja të reprodukimit familjarë që dallojnë nga një proces natyror i zënies së fëmijës, mundësi këto që nga ana tjetër zgjerojnë lirinë e planifikimit familjar.

Politikat bashkëkohore të natalitetit kanë zgjeruar mënyrat dhe metodat e reprodukimit të qenies njerëzore duke përfshirë: amësinë surrogate; lindjen e fëmijës nga një grua me material gjenetik të donuar; fekondimin Post-mortem; ko-prindëria (bashkëprindëria); zënia e fëmijës nga tre persona. Ekzistojnë edhe forma tjera të cilat shkenca i ofron, por ende  konsiderohen procese të ndaluara: zgjedhja e gjinisë së fëmijës, përmirësimi i kapaciteteve fizike, intelektuale të fëmijës së ardhshëm, klonimi.

Nga një këndvështrim tjetër, duke marrë parasysh modelin tradicional dhe biologjik të familjes në shoqërinë tonë, format e reja reproduktive, janë një temë shumë e rezervuar në sferën familjare dhe atë biomedicinale, por që zgjon një kureshtje të diskutimeve mbi etikën, filozofinë dhe rregullimin juridik të reprodukimit të qenies njerëzore.

Ligji për ndryshime dhe plotësime të ligjit për mbarësim të ndihmuar biomedicinal në detaje jep të dhëna lidhur me procesin e amësisë surrogate duke filluar nga inicimi i procedurës e cila përfshinë mbarësimin(fekondimin), shtatzëninë dhe lindjen e fëmijës; ekzistimin e indikacioneve mjekësore në anën e prindërve porositës; kushtet të cilat duhet t’i plotësojë nëna mbajtëse; marrëveshja e manifestuar në formë të shkruar midis nënës mbajtëse dhe prindërve të ardhshëm; të drejtat prindërore të gruas surrogate dhe prindërve, të drejtat dhe obligimet e nënës surrogate, këshillimet juridike dhe psikologjike të prindërve dhe nënës surrogate para inicimit të procedurës.

Sipas nenit 12-a të këtij ligji, të drejtën e realizimit të kësaj të drejte e kanë femrat dhe meshkujt madhorë me aftësi të plotë për të vepruar, të cilët janë në martesë.

Procesin e amësisë surrogate nëpërmjet fekondimit të ndihmuar biomedicinal munden ta iniciojnë çiftet martesore në këto situata ligjore:

  • nëse femra ka mungesë të lindur/të fituar të mitrës ose anomali të lindur në mitër e cila nuk mund të korrigjohet me procedura kirurgjike moderne ose ka dëmtime të pakorrigjueshme të mitrës,
  • nëse femra nga çifti bashkëshortor ka edhe mungesë të lindur apo të fituar të vezoreve ose anomali të lindur të vezoreve që nuk mund të korrigjohet me procedura moderne kirurgjike ose ka dëmtime të vezoreve që nuk mundë të shërohen,
  • nëse mashkulli nga çifti bashkëshortor ka sterilitet që nuk mund të shërohet me procedura modern,
  • pas tre shtatzënive të pasuksesshme

Çështje që hap diskutim tjetër është modeli altruist i dhënies në shërbim të trupit për lindjen e fëmijës për tjetrin. Sipas Ligjit për ndryshime dhe plotësime të ligjit për mbarësim të ndihmuar biomedicinal, i tërë ky proces duhet të bëhet pa kompensim. Çifti porositës duhet të mbuloj të gjitha harxhimet rreth shtatzënisë dhe lindjes, ndërkaq nëna mbajtëse ka të drejtë të pranojë dhuratë në vlerë jo më të lartë se 100 euro në kundërvlerë në denarë. Mirëpo, a ekziston ndonjë mekanizëm kontrolli i cili do të mundet të siguronte që e gjithë kjo të bëhet pa përfitime materiale? Kush mund të garantojë se çifti porositës dhe nëna mbajtëse nuk kanë marrëveshje joformale për pagesën e një shume të caktuar rreth këtij procesi? Dhe në fund a është i mundshëm gjithë ky altruizëm absolut dhe si arsyetohet në etikën familjare?

Përveç shteteve që proklamojnë humanizmin e këtij procesi, në grupin  tjetër janë vendet të cilët aplikojnë modelin e kompensimit për nënën mbajtëse si dhe për institucionet (spitalet që ndërmjetësojnë amësinë surrogate). P.sh disa shtete siç janë (Ukraina, Rusia, Gjeorgjia, Tajlandi, India, disa shtete te SHBA-së) veçohen si shtete në të cilat surrogacioni është një biznes i zhvilluar.  Disa nga kritikuesit e amësisë surrogate, instrumentalizimin dhe vënien në shërbim të mitrës së gruas e konsiderojnë joetike dhe jomorale, madje këtë proces e konsiderojnë si një lloj turizmi reproduktiv.

Gjithashtu, e një rëndësie të konsiderueshme është edhe fitimi i të drejtës prindërore nëpërmjet kësaj mënyre biomedicinale. Ligji parasheh regjistrimin e prindërve porositës si prindër biologjik të fëmijës në librin amë të të lindurve, me çrast nëna mbajtëse, nuk ka asnjë të drejtë dhe obligim prindëror ndaj fëmijës. Deklarata e dhënë për pëlqim për zbatimin e procedurës së fekondimit të ndihmuar biomedicinal ka rëndësi juridike të deklaratës për heqje dorë nga pranimi i amësisë pas lindjes së fëmijës, d.m.th , nëna mbajtëse nuk ka të drejtë të ngrejë procedurë për vërtetimin e amësisë apo realizim të drejtave prindërore në pajtim me dispozitat e Ligjit për familjen. Kontraverziteti i rrahës shfaqet kur nëna mbajtëse duhet të ndjek procedurën juridike për adoptim të fëmijës që ka lindur, në situatat kur prindërit juridikë janë të padenjë për të ushtruar të drejtën prindërore (ju hiqet aftësia për të vepruar ose hiqet e drejta prindërore). Në rast se ndodh vdekja e bashkëshortëve, nëna mbajtëse mundet të fitoj kujdestarinë mbi fëmijën e lindur, vetëm nëse fëmija nuk ka familjarë të afërt nga ana e prindërve juridikë.  Ligji iu përkushton shumë pak vëmendje të drejtave të gruas surrogate, përveç kushteve dhe obligimeve ligjore dhe mjekësore të cilat ajo duhet t’i plotësoj që të realizojë shërbimin e suksesshëm të mbajtjes dhe dhurimin e fëmijës menjëherë pas lindjes. Ligji, gjithashtu, shumë pak i kushton rëndësi përcaktimit të statusit juridik të fëmijës së lindur nëpërmjet kësaj metode. Këto zbrazëtira juridike të këtij ligji, zgjojnë një pyetje tjetër me interes- ky ligj ka për qëllim mbrojtjen dhe realizimi e interesit vetëm të atyre që dëshirojnë të bëhen prindër, apo edhe mbrojtjen e interesit më të lartë të fëmijës?

Ministria e shëndetësisë e RM-së doli me njoftimin zyrtar se pritet të realizohen edhe shtatzënitë e para surrogate. Nga kërkesat e aprovuara konstatohet se procesin e surrogacionit do ta realizojnë vetëm dy çifte martesore nëpërmjet dy nënave mbajtëse.  Jozyrtarisht, njëra nënë mbajtëse do të jetë gjyshja e cila do të lindë fëmijën për vajzën e saj. Ndërsa për çiftin tjetër, fëmijën do ta mbajë dhe do ta lindë shoqja e nënës porositëse. I gjithë ky proces do të gjejë finalizimin e tij pas shqyrtimit dhe përmbushjes së të gjitha kushteve ligjore dhe procedurave juridike rreth kësaj mënyre të fitimit të prindërisë.

Amësia surrogate është një proces juridik mirë dhe në detaje i rregulluar me ligjin aktual. Paraqet një mundësi të re për formim të familjes për të gjithë ata çifte të cilët refuzojnë adoptimin si mënyrë juridike për t’u bërë prindër dhe insistojnë të kenë fëmijë me materialet e tyre gjenetike. Me fjalë tjera, rikthen shpresën për pasurimin e familjes me fëmijë. Mirëpo, edhe përkundër rregullimit statusor dhe ligjorë të fitimit të të drejtës prindërore nëpërmjet kësaj metode biomedicinale, shumë çështje tjera lënë vend për t’u diskutuar edhe atë: ato psikologjike, etike, dhe problemet që ndërlidhen me mentalitetin e shoqërisë tonë për ta pranuar një mënyrë reproduktive të këtij lloji për zgjerimin e familjes. Aspektet tjera shumë të ndjeshme rreth gjithë këtij procesi zbehin teorinë mbi shenjtërinë e procesit natyror të shtatzënisë. Progresi kaq i hovshëm i shkencës juridike-familjare anashkalon maksimën e njohur romake Mater semper certa es (nëna çdo herë është e njohur- ajo që lindë fëmijën). Në çfarë këndvështrimi shoqëror dhe etik do të shikohet një grua e cila jep mitrën e saj me “qira”? Pasojat juridike dhe morale ndaj fëmijës, mbi të drejtën e tij për ta njohur nënën biologjike,  i ka llogaritur dikush?

Lajme të ngjashme

Një koment

  1. Peruroj znj. Arta Selmani-Bakiu per senzibilitetin e treguar per kete teme te larget nga shikimet tona kulturore..,.por ne te njejten kohe realitet i perditshmerise tone qe ndryshon institucionin FAMILJE nga themeli i saj.
    Dr Naser Durmishi MD PhD, krijues i ligjit per In Vitro Fertilizim dhe keshilltar per ligjin per Surogat nene!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button