Krime të përbindshme serbe!

Mbi 20 mijë femra shqiptare të dhunuara nga serbët gjatë luftës së Kosovës

Serbia mbart sot e përgjithmonë damkën e zezë të shtetit të fundit europian ku lulëzoi fashizmi nën udhëheqjen e partisë të ashtuquajtur Socialiste të Slobodan Millosheviçit.

Krimet më famëkeqe në Ballkan, të ndodhura krejt në rreze të diellit në tokën e Kosovës në kohë të modernitetit, vulosin zezonjën e shtetit vrastar e gjakatar serb.

Po sjell ndërmend krimet e fundit të ndodhura gjatë luftës në Kosovë, për faktin kokëfortë e të pandreqshëm të krimeve mizere e çnjerëzorë serbe, kryesisht kundër shqiptarëve!

Krime këto jo vetëm mbi popullatë burrash, të rriturish, njerëzish që e kanë një farë mundësie mbrojtjeje por edhe mbi të pambrojturit.

Këtu nuk e kam fjalën për masakrat me armë gjithfarëlloj mbi fëmijët, që po ashtu janë lemeria e krimeve në Ballkan në përfundim të mijëvjeçarit të kaluar.

E kam fjalën për një lajm që qarkulloi këta ditë në media dhe se për hir të realitetit është mynxyra dhe pafytyrësia e një regjimi anti-shqiptar, anti-njerëzor, prodhuar nga mendjet fashisoide beogradase.

Plot 20 mijë gra e vasha shqiptare, disa prej tyre edhe ende të parritura siç duhet, të dhunuara nga ushtarët serbë që përfundojnë në llumin e etikës morale e njerëzore kudo e kurdoherë.

Është fakt tronditës. Është tmerr i përjetuar jo në trillime, as në legjenda dhe as i dalë nga ëndrra shqiptarësh që duan medoemos veç ti nxijnë serbët.

Është fakt barbar, tmerronjës, lemeritës, që trondit me siguri çdo mendje të shëndoshë e cila arrin që të dëgjojë lajm të këtillë të kobshëm.

Po mes rreshtash mundesha të lexoj se gratë e Kosovës të dhunuara gjatë luftës nga njerëz që me siguri duhet ta kishin humbur arsyen, e kishin shumë të vështirë ta komunikojnë fatin e zi të jetës së tyre.

Kjo sepse na qenkësha turp të dëftosh dhunë e përdhunë të serbëve, që për ambiciet e sëmura të vetat arrijnë deri në shkatërrimin moral, social e vleror të femrës, e në rastin konkret asaj shqiptare.

E se për fat të keq krimi në fjalë me përmasa të të përbindshmes, mbetet ende i padenoncuar dhe i padënuar.

Kjo do të thotë se kriminelë, përdhunues, fundërrinë e shoqërisë që përdori dhunë në Kosovë në masë nuk u dënua.

U përligj krimi. U përligj vrasja. U përligj dhuna. U përligj përdhuna, tmerri, tragjedia, lemeria, fatkeqësia e një kombi që deshën ta zhvendosnin nga trojet e veta shekullore dhe etnike.

Krimet monstruoze, krejt të përbindshme më mirë të thuhet nuk u dënuan, sepse këto vepra të turpshme ishin në një ide me mendjet drejtuese serbe të asaj lufte të përgjakshme.

 

Krime të tilla duhen denoncuar e dënuar, jo se kështu duan shqiptarët – as se serbët medoemos duhet të kalben në burgje – por për triumfin e të vërtetës!

Thuhet më tej se Millosheviçi në krye së bashku me bandën e politikanëve të drejtuara si marioneta nga ana e tij kishin krijuar banda ushtarake pasi të gjithë këta persona ishin me precedentë të rënda penale në jetën e tyre.

Njerëz të liruar nga katër anët e burgjeve të Serbisë për tu dyndur në Kosovë – për ti vrarë, djegur, dhunuar, masakruar e shkelur dinjitetin bijve dhe bijave të Kosovës.

Tregojnë po ashtu një histori, të zezë, murtajë se kur dy ushtarë serbë kishin zënë një nuse kosovare në prag të lindjes ia kishin çjerrë barkun e se më tej shtinin si në lojë se kush do ta vriste fëmijën i pari me mjete prerëse.

Njerëz “bisha” prej burgjeve dhe të rrezikshëm të vendosur përballë pafajësisë, fëmijës, foshnjës, nënës, gruas, motrës e vatrës të shqiptarit.

Sa duket krejt të zezat dhe krimet e serbëve janë harruar dhe se aktet e rënda e brutale të atyre serbëve fajtorë nuk e kanë një dosje.

Dhimbja e mbi 20 mijë femrave të Kosovës është ulëritëse. Kjo dhimbje merr përmasa të së tmerrshmes kur mendon se bijat u dhunuan në sy të etërve, të vëllezërve e të motrave.

Loti i patharë i shoqërisë shqiptare ende nuk e ka marrë përgjigjen e merituar.

Krimet që nuk e morën kurrë dënimin, që gjykata për to nuk e trokiti asnjëherë çekiçin e drejtësisë, e varrosin lotin, e kallin dhimbjen dhe pafajësia merr goditje prej dorës kriminale.

Sa duket ngarendja e liderëve shqiptarë në çdo shtet ku ata drejtojnë pas pushtetit, drejt pasurimit dhe hajnisë kanë bërë që krime të tilla të serbëve të mbeten të pandëshkuara dhe populli viktimë kurrë të mos e marrë drejtësinë që e meriton.

Nuk ngjau kështu vetëm me gratë e dhunuara, por edhe me shumë prej luftëtarëve të lirisë. Ndërsa “shefi” u gradua, bijtë të shqipes që e dashuruan lirinë u trajtuan sikur të ishin “terroristë” dhe kishin akuza të ngjashme.

Kosova është sot shtet i pavarur dhe i mëvetësuar nga Serbia, por se hijet e së shkuarës nuk mund të fshihen si shkumësi mbi dërrasën e zezë.

Krimet famëzeza meritojnë dënimin e merituar duke ia prerë lirinë atij që vret, plagos, dhunon.

E se sot po ngjan ajo se për UÇK-në u themelua Gjykata Speciale, kurse për kriminelët serbë nuk ka një gjykatë të tillë. Raportet e herëpashershme dëftojnë të vërtetën shqetësuese se shteti serb nuk i ndjek e nuk i burgos shumicën e atyre që me uniformë kryen krime në Kosovë sepse në logjikën e tyre ky njeri ishte përfaqësues i shtetit.

Po, përfaqësues i një shteti fashist e me nacionalizëm mesjetar krejt të marrë!

E se nëse Kosova është e paaftë ti përgjigjet Serbisë që ky shtet ti dënojë kriminelët e vet të luftës, shteti më i ri në Ballkan shumicën e popullatës e ka njëjtë në etni me Shqipërinë – shtet ky më tepër se njëshekullor.

Ndërsa Serbia mbrohet nga Europa se i ka dyqind e kusur vjet shtet dhe se kinse me kaq eksperiencë shtetërore mundet ti dënojë kriminelët e vet, në fakt në Serbi në krye të vendit janë zbatues të dikurshëm të urdhrave të Slobodan Millosheviçit.

Andaj me nevojë do të ishte që Shqipëria si shteti amë ta dëftonte së bashku me Kosovën sa të jetë e mundur realitetin tragjik të krimeve të luftës.

E vërteta të çliron nga çdo lloj dogme, prej iracionalitetit dhe prej gabimeve të mëvonshme.

Dënimi i kriminelëve serbë për krimet në Kosovë e gjetkë do të ishte një lehtësim disi për dhimbjen e shqiptarëve – por nga ana tjetër edhe pastrimi i kombit serb nga vrasës e përdhunues me damkë.

Mirëpo hamendësim i tillë për fat të keq është utopi. Klasa politike serbe po e dëshmon për çdo ditë se është e marrë prej nacionalizmit të vet.

Klasa politike serbe as që duket të kërkojë pendesë, as falje, as të thotë se e ka gabim por se veç kalëron në marrinë e vet.

Një shtet që nuk e pranon se ka qenë fashist, ku plehrat e lavdisë nacionaliste serbomadhe kanë zaptuar karriget më të larta të vendit, është i marrë, është i pakthyeshëm në rrugën e drejtë.

E se krejt për fund të hysh në bisedime me një shtet të tillë që lavdi e ka fashizmin, që krenari e ka vrasjen e dhunën, është marri e liderëve politikë të Kosovës që ende besojnë në sinqeritetin e një shteti që kurdoherë ka prodhuar politikë të përzier me djallëzi!…

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button