A ia vlen debati?

 

Të debatosh do të thotë se pranon se ekzistojnë pika që pajtoheni, por edhe shumë pika që nuk pajtoheni, prandaj duhet të diskutoni që sa më tepër t’i përafroni pikat ndarëse. Gjithsesi, debati dëbon mjegullën. Në debat duhet të synohet ngadhënjimi i fjalës së drejtë dhe jo fitorja e debatuesit, përndryshe nuk kemi debat, por përpjekje për pastrim të trurit. Pa dyshim, për të qenë debati sa më i frytshëm, nevojitet një udhëheqës i përgatitur i debatit dhe debatues të atillë që përpos njohurisë për temën e debatit, duhet të kenë edukatë dhe kulturë në bashkëbisedim, virtyt ky që fillon të kultivohet që nga familja. Përmes debatit mund ta vërtetosh dobishmërinë e idesë dhe të porosisë, edhe pse kemi të atillë që pikërisht përmes debatit mundohen t’i hedhin hi syve të debatuesve tjerë dhe përcjellësve të debatit. Prandaj, të pranishmit në debate duhet të jenë shumë të përgatitur dhe të sinqertë, në mënyrë që të mos lejojnë të kalojnë arsyetimet dhe idetë e dëmshme.

Rrjedhimisht, pas hapjes së disa mediumeve në gjuhën shqipe në Maqedoni, debati nëpër këto mediume filloi të merr dhenë. Parimisht, kjo është një gjë shumë e mirë. Mundësitë për të debatuar u shtuan dhe terri i informimit u shua, edhe pse disa analistë që nuk meritojnë të quhen as nxënës të analizave, disi po e prishin këtë hap të duhur dhe të munguar, por sërish nuk është aq keq, sa ishte më parë, ku një medium kishte vërë monopol në informim. Gjithsesi, pikërisht kur fillon të gëzohesh pakës, po del se shumësia e debateve të jetë më tepër e dëmshme dhe më pak e dobishme.

Një gjë shumë e pakëndshme po ndodhë përgjatë debateve në mediumet në gjuhën shqipe. Fjala vjen, në çdo debat funksionarët e lartë të BDI-së po shpëtojnë pa një thumb në këmbë. Pas gjithë dështimeve, skandaleve dhe tmerrit që përjetuan shqiptarët nën qeverisjen e tyre, sërish i shohim të qetë, flasin gjëra që as vetë nuk i kuptojnë, por kryesorja po e mbushin kronikën dhe fundi i emisionit po i gjen të lumtur, pikërisht ata që do të duhej ta ngatërronin edhe derën e daljes. Hiqen sikur gjithçka e shkëlqyer ka ndodhur nën qeverisjen e tyre, paçka se as vetë ata fjalëve të tyre nuk i besojnë ose nëse i besojnë, atëherë vërtetë janë të sëmurë dhe parimisht ata nuk duhet të jenë para analistëve dhe gazetarëve, por para psikologëve. Mbase ndërgjegjja mund t’i ketë vdekur dhe trupin e tyre e përdorin si një varr të zbukuruar, përndryshe vetëm loti i jetimëve dhe i fëmijëve që babai i tyre dergjet burgjeve pa asnjë faj, do t’i mbyste prore, do t’i skuqte tërësisht dhe prej gulçimeve nuk do të mund të flisnin fare. Megjithatë, këta janë të qetë, ndoshta me ndihmën e barërave, kurse kundërshtarët e tyre tepër nervoz sa që bindshmërinë po e humbin para shikuesve. Ndoshta më e mira do të kishte qenë të mos pranohet fare të dilet në debat me këta politikanë, të cilët nuk dyshohen se rrënuan shumëçka, mirëpo ajo që rrënuan tashmë është fakt i gjallë për çdo njeri!

Çfarë të debatosh me ata që veprimet e tyre të liga po arrijnë me sukses t’i përligjin, të paktën para syve të qytetarëve dhe jo në të vërtetë. Pikërisht, debati në këtë rast po del të jetë shumë i dëmshëm për shoqërinë. Kundërshtarët partiak dhe analistët, shumica e të cilëve ose nga papërgatitja e mjaftueshme ose nga papërvoja e nevojshme ose nga frika e mundshme, nuk po e pasqyrojnë të duhurën. Mbase nuk është lehtë të gjendesh para atyre që nuk dinë fare të turpërohen, siç do të thoshte Dritëro Agolli: “Ç’pret nga një botë, ku i mashtruari turpërohet më shumë se mashtruesi” ose para atyre që nuk duan ta njohin të vërtetën, siç do të shprehej imam Aliu se patjetër duhet të njohësh të vërtetën që të dish se kush është me të vërtetën.

Kësodore, për t’i ikur debateve të dëmshme dhe faktorizimit të atyre që skajshmërisht duhet të shpërfillen, duhet me urtësi dhe larg euforisë, të zbërthehen me argumente ngjarjet, të zhvishen protagonistët e atyre ngjarjeve, të hidhet në pah e vërteta dhe të mos mëtohet pranimi me çdo kush i të vërtetës prej atyre që aq shumë janë të zhytur në malin e padrejtësive, saqë vetëm me padrejtësi të reja mundohen t’i mbulojnë padrejtësitë dhe dështimet e vjetra, por me pasoja të përditshme.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button