Kërçova krenare për përfaqësimin e denjë në X Faktor

Një grup të rinjsh nga qyteti i Kërçovës në vazhdimësi marrin iniciativa të ndryshme për të përkrahur përfaqësuesin e tyre në X Faktor Albania 3, Senad Rrahmani. Për të mbështetur moralisht Senadin, ato çdo të diel organizojnë transport për këdo që ka dëshirë që të jetë pjesë e publikut gjatë shout. Gjatë mbrëmjes së të dielës dhe të dielat e kaluara, Senadi ka qenë ndër më të votuarit dhe shpesh duke kryesuar listën e votimit online. Komentet e jurisë për performancat e tij kanë qenë mjaftë pozitive.

Si pjesë e grupit që merret me organizimet për përkrahjen e Senadit,  Ardita Iljazi, thotë se numri i të interesuarve për të ndjekur nga afër performancat e këtij kërçovari në skenë, është shumë i madh dhe janë të shumtë ato që besojnë se tashmë Senadi ka fituar zemrat e një audience të gjerë. 
Sa u takon financave ajo shton: “Deri tani, çdo të diel kemi organizuar transport falas për simpatizuesit dhe përkrahësit e Senadit. Jemi mbështetur financiarisht nga kryetari i komunës së Kërçovës, Fatmir Dehari, nga kryetari i degës së BDI-së në Kërçovë, Sheval Ceku dhe disa firma private prej të cilave kemi pasur shumë përkrahje dhe kanë mbështetur iniciativën tonë.”
Në disa lokale që frekuentohen nga të rinjtë në Kërçovë, të dielën në mbrëmje, ndiqet drejtpërdrejt shou në fjalë dhe kjo dëshmon që përfaqësuesi i Kërçovës në X Faktor, gëzon mbështetjen e plotë të bashkëvendasve të tij.

Karriera e Senadit ka filluar disa vite më herët, atëherë kur, bashkë me disa të rinj nga ky qytet, formuan rok grupin “Uskana e re”. Pas një kohe relativisht të shkurtër grupi u shpërbë, por pasioni i madh për këngën dhe talenti i Senadit sot ka mundësinë të promovohet përpara një audience më të gjerë.

Back to top button