Ndizet gara: përleshje në rrugë para super të martës 2

Paqartësi dhe pasione të larta. Me votimet e sotme, të ashtuquajturës “Super e Marta 2” gara për nominim në të dy partitë hyn në fazën e tretë dhe vendimtare. Në zgjedhjet e kaluara deri në këtë fazë zakonisht është ditur favoriti kryesor i të dy partive, por në këtë aspekt viti 2016 është revolucionar. Në anën republikane akoma mbesin në garë katër kandidatë dhe po shtohen gjasat që asnjëri mos të jetë fitues deri në fund të votimeve. Asgjë më qartë nuk është situata as në anën demokrate. Klinton vazhdon të jetë favorite, por sapo duket se ka fituar njëherë e mirë, Sanders kthen paqartësinë me ndonjë fitore të papritur.

E gjithë kjo paqartësi ka ngritur lartë pasionet e përkrahësve të kandidatëve të ndryshëm, sidomos të Trampit dhe Sandersit. Duke qenë autsajderë edhe në partitë e tyre, ata kanë mesazhe revolucionare për të ribërë nga themeli shoqërinë amerikane, e janë zakonisht idetë revolucionare ato që ngjallin pasionet më të flakta. Më në fund këto pasione kanë shpërthyer nga kampanja në rrugë.

Përleshje në rrugët e Çikagos. Retorika e zjarrtë e Trampit është shoqëruar me incidente të ndryshme nëpër tubimet e tij. Zakonisht ndonjë protestues ka arritur të futet dhe protestojë brenda në tubim, për t’u shoqëruar më pas jashtë. Por të premten incidentet kanë marrë përmasa të mëdha. Atë ditë Tramp mbante miting në Çikago, por para mitingut ishte mbledhur një grup i madh protestuesish, kryesisht studentë nga Universiteti i Ilinois. Ka pasuar rrahje mes përkrahësve dhe kundërshtarëve të Trampit, ku është dashur të ndërhyjë me të madhe policia. Tramp në fund ka anuluar tubimin, ndërsa ka akuzuar Sandersin se protestuesit kanë qenë të organizuar nga fushata e tij. Megjithëse Sanders ka mohuar, nuk do mend se një pjesë e madhe e protestuesve kanë qenë vërtetë përkrahës të Sandersit, pasi ju përshtaten demografikisht votuesve të tij më të zjarrtë. Kandidatët tjerë janë distancuar nga retorika e Trampit. Incidente nuk ka patur në tubimet tjera, por nuk përjashtohet mundësia që ato të përsëriten nëse gara vazhdon të mbetet e paqartë.

Super e marta 2. Në të ashtuquajturën super e martë 2, sot votojnë pesë shtete të mëdha. Këta janë Florida, Ilinois, Ohajo, Karolina e Veriut dhe Misuri, shtete që përfshijnë megalopolise të tilla si Çikago, Majami, Sent Luis, Klivlend, Sharlot e të tjera. Ja si është gjendja momentale dhe pritshmëritë e secilit kandidat:

sDonald-TrumpDonald Tramp – lider me 33% të votave. Garën republikane e udhëheq Donald Tramp. Ai deri tani ka fituar 15 shtete dhe ka grumbulluar gjithsej 460 delegatë për konventë. Mirëpo problemi i Trampit është se në total ka fituar vetëm rreth 33% të votave. Me largimin e konkurentëve nga gara, votuesit e tyre përgjithësisht kanë shkuar te kandidatët tjerë dhe jo te Tramp. Pra sa më tepër ngushtohet gara, aq më tepër rrezikohet Tramp. Të martën ai duhet të fitojë të paktën në Florida ose Ohajo. Nëse fiton të dyjat mund të bëhet fitues i pashmangshëm; nëse humb të dyjat lehtë mund të marrë tatëpjetën.

sTed-CruzTed Kruz – Konkurenti kokëfortë. Kruzi disa herë është fshirë nga lista si i humbur, por përherë ka gjetur forca të rikthehet. Ai ka arritur të mposhtë 8 herë Trampin dhe në total ka grumbulluar 369 delegatë. Për momentin është i vetmi që mund të fitojë matematikisht Trampin para konventës, por hartën e të martës nuk e ka bash për shtati. Ai me siguri nuk do fitojë asnjë delegat në Florida dhe Ohajo, por mund të befasojë në Misuri. Kjo mund t’i mjaftojë për të qëndruar në garë, sidomos nëse nesër tërhiqen Rubio dhe Kasiç. Tek a tek me siguri del fitues me Trampin.

sMarco-RubioMarko Rubio – Kampanjë në rrënie. Pas largimit të Bushit nga gara, establishmenti republikan u rradhit shpejtë pas Rubios. Nuk munguan donacionet për kampanjë dhe deklaratat publike të mbështetjes për kandidatin i cili shihej si më i përshtatshmi për të mundur Trampin, e pastaj edhe Klintonin. Por Rubio dështoi thuajse në secilin shtet ku u votua pas tërheqjes së Bushit. Thuajse përherë ka dalur pas Kruzit, ndërsa shpesh edhe pas Kasiçit. Ka fituar vetëm në Minesota, në territorin e Porto Rikos dhe në kryeqytetin Uashington. Deri tani ka 163 delegatë. Për Rubion e marta është çështje jete a vdekje. Nëse fiton në shtetin e tij Florida i merr 99 delegatë dhe rikthehet në garë. Nëse humb, pritet të tërhiqet nga gara.

sJohn-KasichXhon Kasiç – jetë a vdekje në Ohajo. Kandidati Kasiç nuk ka fituar në asnjë shtet dhe ka mbledhur vetëm 63 delegatë. Madje ai ka mbetur pas Kruzit në shtete të veriut ku mesazhi i tij duhej të kalonte me lehtësi. Por të martën Kasiç ka një avantazh të madh. Ai është guvernator i popullarizuar i Ohajos, shtet që i jep të 66 delegatët e tij fituesit. Nëse Kasiç fiton në Ohajo e Rubio humb e tërhiqet nga gara, Kasiç mbetet i vetmi kandidat i establishmentit me gjasa për t’i marrë përkrahësit e Rubios. Ai nuk ka gjasa matematike për të fituar nominimin me zgjedhje, por do të tentojë të shkojë në konventë me sa më tepër delegatë. Nëse humb në Ohajo kandidatura e tij merr fund.

sHillary-ClintonHillari Klinton – favoritja e hendikepuar. Klinton kaloi me sukses fazën e dytë të votimeve. Ajo u mbajt fortë te “muri klintonian i Jugut”, duke fituar të gjitha shtetet e jugut dhe duke krijuar avantazh të madh ndaj Sandersit. Mirëpo kampanja e saj ka marrë goditje të fuqishme të martën e kaluar kur humbi në shtetin Miçigan, e ku pritej të fitonte me 20% dallim. Miçigani nuk është humbje në vetvete, sa është indikator i dobësisë së saj në shtete tjera të ngjashme, siç është Ilinois. Megjithatë ajo mbetet edhe më tej favorite. Sot pritet të fitojë në shtetet e mbetura të jugut, Florida dhe Karolinë e Veriut, me gjasa të mira edhe në shtetet tjera që votojnë sot.

sBernie-SandersBerni Sanders – sfiduesi i papritur. Në fillim të garës Sanders nuk merrej si konkurent i denjë i Klintonit. Madje as barazimi në Ajova dhe fitorja në Nju Hempshër nuk paraqitën ndonjë befasi të madhe, duke qenë se bëhet fjalë për shtete të vogla të bardha. Në vazhdim Sanders humbi thellë në shtetet e përziera të jugut dhe fitoi disa shtete në mes-Perëndim. Por befasinë më të madhe, përmbysjen e shekullit, ai e ka bërë në Miçigan, ku fitoi megjithë pritjet për humbje të thellë. Ç‘është më e mira në Miçigan ai fitoi 33% të votës zezake, e cila në Jug kishte shkuar me 9-1 për Klintonin. Nëse përsërit këtë rezultat në shtete tjera të ngjashme, si Ilinois, Misuri e Ohajo, me popullatën e madhe zezake në Çikago e Sent Luis, Berni mund të befasojë sot Klintonin në të tre shtetet. Sidoqoftë ai do të vazhdojë të qëndrojë deri në fund të garës, të paktën për të përçuar më fortë mesazhin e tij socialist.

 

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button