Letër Shkupit

E kam qytet të preferuar, pavarësisht të metave.

Qytetet janë si njerëzit e afërt, me kohë mësohesh me veset e tyre.

Adaptohesh dhe vazhdon ti duash.

Është kaotik, është i ndyrë, vozitësitë duken neurotikë, merren vesh me të sharra.

…Shkupi i bën njerëzit edhe të qeshen, efekt i çmuar terapeutik në kësi kohërash.

Provoni të ecni me sy të turistit nëpër shesh dhe të mbeteni serioz.

Kaloni mbi dy urat e reja dhe vështroni një nga një shtatoret: shumica duken si Tuluz Lotreku, piktori shkurtabiq me gjoksin si të nxjerrur. Disproporcione të pafalshme edhe për studentë të skulpturës.

Hataja më e madhe e marrive të shtrenjta matanë lumit është se tashmë kalojmë përskaj tyre pa i regjistruar fare që don të thotë se mësohemi me shëmtinë.

Siq u mësuam për shembull me rezultatin e rastaurimit shumëvjeçar karikatural të simbolit të qytetit dhe si nëpër mjegull na kujtohet sa e bukur ishte Ura e gurit.

…Shkupi ka Kalanë që do duhej të ishte atrakcion turistik dhe shetitore e preferuar siq nisi të bëhet para kërkimeve arkeologjike. Gërmimet këtë qëllim kishin dhe u treguan të sukseshme. Kalaja sot u shërben vetëm dashnorëve kur u duhet vetmia natën.

Shkupi ka fatmirësisht Çarshinë, më të madhen në Ballkan, thonë. Sikur projektet për “gjallërimin e saj” në të kaluarën të mos ishin kryesisht projekte për gjallërimin e kuletave sot pjesa më e bukur e qytetit do të ishte ende më e bukur. Por mbahet mirë Çarshia, si zonjat që nuk shëmtohen me kalimin e kohës. Është vend ku dallimet janë përditshmëri e jo parollë. Vend i cili falë esnafit të vet është  më i pastëri në qytetit. Stacion i pashmangshëm i turistëve. Askund tjetër ushqimi nuk kundërmon dhe nuk shijon si këtu. Çmime normale dhe shërbim kulmor. Mëngjeset kur ajo zgjohet janë kapitull në vete, nuk sqarohen nëse nuk përjetohen. “E po të kem kaluar kaq vite jete dhe të mos e kem ndjerë sharmin e mëngjesit të Çarshisë, sa mëkat. Shitore të pahapura, qebaptore që përgatiten të fërgojnë qebape, pa myshetri. Shumë frymëzuese, shumë” më shkroi një mike që më priste për kafenë e sabahut në çajtore. Çarshisë i duhen atelje krijuesish figurativë ku ata do jetonin, punonin dhe ekspozonin punën e vet, studio rezidente për artistë të huaj, i duhen librari dhe galeri “kamertale”, i duhen lule ose ende më mbresëlënëse: një rrugë-një lloj lulesh… nëpër dritaret e vogëla, nëpër parmakët e lokaleve…Delikateseve të saj u duhen paketime të dizajnuara, prodhim serik, që të mund të blihen edhe si dhuratë apo si suvenir i lezetshëm.  Çarshisë i duhen renovime të lokaleve: shumë efekt me pak pare, e që tek sponsorët e mundshëm mund të hyjë edhe në grafën e “aktiviteteve multikulturore”. Askund më shumë se në lokalet e Çarshisë nuk bashkëjetojnë diversitetet, natyrshëm dhe pa bujë. Aty ku shumë flitet për diçka, dije se ajo mungon, thoshte një mik.

Shkupi ka Vodnon si ikje e bukur, e shëndetshme.

Shkupi ka bulevardin e vetëm “Partizanska” që nuk i ka përjashtuar këmbësorët. Shtigjet kilometrike kalohen padiktueshëm nën drunjtë e moçëm…Ndryshimet stinore këtu duken po aq sa duke hypyr në Vodno ose duke shetitur parkut të qytetit që duket i lënë pas dore, por ende është “Natyrë në qytet”, e vetmja.

Shumëçka Shkupi ka dhe nuk ka.

Por qytetet janë si njerëzitë e afërt.

Adaptohesh dhe vazhdon ti duash.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Një koment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button